Gjatë takimit me demokratët në Roskovec, Boçi theksoi se nuk i përket politikanit që tregon me fjalë se si fitohen betejat, pasi demokratët e dinë shumë mirë se si arrihet fitorja në betejat politike.
“Sot ne kemi ardhur në shtëpinë tonë të madhe politike për të ndarë ato idealet e pandryshuara, ato të vërtetat tona të mëdha dhe të vogla, për ti bërë ato bazë të angazhimit tonë, të shpresës sonë, për ti dhënë kuptim luftës sonë, për fitoren e Partisë Demokratike, për ti dhënë liri liderit tonë, Sali Berisha, për ti kthyer lirinë shqiptarëve, sepse edhe ajo liri është e grabitur”, tha Boçi.
Ai tha se ne kemi dëshira dhe projekte të mëdha për Shqipërinë sepse ne besojmë për një vend më të begatë, edhe pse Edi Rama e ka vërvitur në greminë këtë vend.
“Rama ka mbjellë dramë, ka mbjellë varfëri, ndaj dhe shqiptarët nuk kanë as mirëqënie as paqe, madje kërkon t’i gjunjëzojë duke i vendosur prangat e varfërisë”, tha Boçi.
Sipas tij, Rama ka mbjellë vdekjen, duke dështuar shëndetësinë dhe pasigurinë ushqimore.
“Rama ka ndërtuar perandorinë e së keqes, ndaj dhe hedh vallen e vdekjes mbi jetën e shqiptarëve.
Kjo valle makabre ndalet vetëm me një formë: revoltë dhe protestë.
Rama ka kapur drejtësinë e re, ndaj dhe burgosin liderin e opozitës, sepse kanë frikë”, tha Boçi.
Sipas tij, vetëm të organizuar bashkë, vetëm me aksion politik ne do të mundemi të shembim këtë regjim të Edi Ramës.