Orët shtesë të punës, vendoset masa e shpërblimit që përfitojnë prokurorët

Shqipëria

Orët shtesë të punës, vendoset masa e shpërblimit që përfitojnë prokurorët

Më: 20 prill 2024 Në ora: 23:57
Foto ilustrim

Puna jashtë orarit zyrtar të prokurorëve do të paguhet me një shtesë mbi pagë. Qeveria, bazuar në kërkesën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, bazuar në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’’, që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në vendin tonë, me propozim të Komisionit të Planifikimit Strategjik, vendosi të bëjë disa ndryshime për pagesat e prokurorëve për punën e kryer jashtë orarit.

Prokurori që ushtron funksionin në ditët e pushimit javor apo festave zyrtare, si dhe orët shtesë të kryera në orarin 22:00–06:00, për veprime të natyrës urgjente, përfiton shtesë page në masën 50% të pagës së tij ditore në përpjesëtim me orët e punës së kryer ose kompensim me kohë pushimi. Ai duhet të provojë me dokumentacion shoqërues (aktet hetimore ose vendime të gjykatës) orët e punës së kryer.

Prokurori që ushtron funksionin jashtë kohës normale të punës për veprime të natyrës urgjente, përfiton shtesë page në masën 25% të pagës së tij ditore në përpjesëtim me orët e punës së kryer ose kompensim me kohë pushimi, i cili duhet gjithashtu të provojë me dokumentacion shoqërues (aktet hetimore ose vendime të gjykatës) orët e punës së kryer.

Ndërsa prokurori që është në gatishmëri sipas grafikut të përcaktuar nga drejtuesi i prokurorisë, për shkak të gatishmërisë gjatë ditëve të festave zyrtare apo ditëve pushim përfiton shtesë page në masën 50% të pagës së tij ditore ose kompensim me kohë pushimi.

Prokurori i cili është i gatshëm gjatë ditëve të javës por për shkak të gatishmërisë del jashtë orarit zyrtar të asaj dite përfiton shtesë page në masën 25% të pagës së tij ditore ose kompensim me kohë pushimi në përpjesëtim me orët e punës së kryer”, thuhet në vendim.

Prokurori që është i gatshëm gjatë ditëve të javës, por për shkak të gatishmërisë kryen veprime në orarin 22:00–06:00, përfiton shtesë page në masën 50% të pagës së tij ditore në përpjesëtim me orët e punës së kryer ose kompensim me kohë pushimi në përpjesëtim me orët e punës së kryer.

Fondi i përcaktuar për orët jashtë orarit nuk duhet të tejkalojë më shumë se 200 orë në vit për çdo prokuror”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat