Tregtarët e Belshit sërish në protestë, reagon bashkia: Ja pse e morëm vendimin për të transferuar tregun

Shqipëria

Tregtarët e Belshit sërish në protestë, reagon bashkia: Ja pse e morëm vendimin për të transferuar tregun

Më: 29 prill 2024 Në ora: 12:49
Foto nga vendi i ngjarjes

Edhe këtë javë tregtarët në Bashkinë e Belshit kanë protestuar duke kundërshtuar spostimin e tregut nga periferia e qytetit drejt fshatit Marinëz rreth 5 km larg Belshit.

Sipas tyre, spostimi drejt tregut është i padrejtë pasi ndodhet larg zonës së banuar ndaj askush nuk shkon për të blerë. Në anën tjetër është e pamundur që një numër i madh tregtarësh të zhvendosen atje pasi hapësira e vendit është e pamjaftueshme. Nga spostimi i tregut preken të paktën 300 tregtarë. Ata pretendojnë se nuk do tërhiqen nga kërkesa e drejtë e tyre dhe se do t’i përshkallëzojnë protestat deri në bllokimin e rrugëve.

Tregtarët thonë se Bashkia e Belshit nuk është konsultuar me ta kur e ka marrë vendimin. Ndonëse tregtarët protestojnë pranë Bashkisë, ka reaguar sekretari i përgjithshëm, Mustafa Çarçiu. Sipas tij zhvendosja e tregut është kryer me vendim të këshillit bashkiak.

Ai sqaroi se zona ku ndodhej ishte improvizuar nga tregtarët për shitjen e produkteve dhe kjo bëhej në kushte skandaloze higjeno-sanitare. Ndërkaq zhvillimi i tregtisë aty ishte jo vetëm burim aksidentesh, por edhe pengesë serioze për qarkullimin e automjeteve dhe ofronte një pamje të shëmtuar para turistëve që vizitojnë Dumrenë, numri i të cilëve në fundjavë shkon 2 mijë deri në 3 mijë turistë.

“Pretendimet e tyre nuk qëndrojnë dhe është e drejta e tyre që të protestojnë. Aktualisht Bashkia me financim të qeverisë ka ndërtuar një treg bashkëkohor ku secilit i ofrohen kushte mjaft të mira dhe ku do të funksionojë gjithçka sipas rregullave. Një pjesë e madhe e atyre që ushtronin aktivitetin e tyre në tregun e improvizuar tashmë janë zhvendosur në tregun e ri dhe ndjehen shumë mirë dhe klientët nuk i kanë të paktë. Ndërkohë bashkia ka në plan që në një të ardhme të ndërtojë një markatë edhe në qytet.”, tha Çarçiu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat