Indrit Sefa, Sekretar i Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhore në PD, i ftuar në studion e “Open” në Neës24 ka komentuar reagimet e Erion Veliajt pas paraqitjes së tij në SPAK ditën e sotme.
Sefa u shpreh se reagimi i kryebashkiakut ishte një “strategji komunikimi e çmendur politikisht”, ndërsa tha se ai duhet të mbante qëndrime politike sot.
Sa i përket arritjes së Veliajt rreth një orë më herët në ambientet e SPAK, Sefa tha se kjo mund të jetë një taktikë procedurale.
Po ashtu Sefa theksoi se qëndrimi prej 7 orësh i Veliajt tregon se për gjithë hetimin kanë arritur në një konkluzion dhe se pyetjet që i janë bërë janë përgatitur nga prokurori, i cili nuk ka qenë prezent gjatë marrjes në pyetje.
“Veliaj është njeriu me aksesin më të madh në Republikë pas Edi Ramës. Të ankohet ai se një pjesë e mediave e sulmon për afera të vërtetuara me vendime gjykatash është e tepërt. Kjo është një strategji komunikimi e çmendur politikisht për sa kohë ai duhet të japë shpjegime për veprimet në kryet të bashkisë. Ai nuk e zgjidh hallin duke quajtur ata kolegë, bashkëpunëtorë etj. Ai duhet të mbante qëndrime politike sot, të dilte para gazetarëve dhe të thoshte se ka një urdhër nga SPAK ku i kërkohet të japë shpjegime për inceneratorët.
Vajtja e tij herët mund të jetë taktikë procedurale. Fakti që ai sot ka 7 orë i bie që për gjithë hetimin kanë arritur në një konkluzion. Prokurori nuk ka qenë aty, pyetjet e bëra nga oficeri i BKH janë përgatitur nga prokurori. Ky është një hetim i përgatitur, janë pyetje të përgatitura. Prokurori ka krijuar një ide për procedimin penal për sa kohë nuk pret surpriza në këtë rast dhe pret përgjigje procedurale nga Veliaj”, tha ai.