Përsa i përket dhunës në familje, Shqipëria vijon të mbetet një nga vendet në rajon me shifra të larta vdekje, rastet e dhunës në familje vazhdojnë të shtohen në vend. Vetëm vitin e kaluar humbën jetën 19 persona për shkak të dhunës me bazë gjinore.
Megjithë presionin e ligjit mbi dhunën në familje, referuar shifrave zyrtare nga Ministria e Brendshme në Shqipëri, gjatë vitit 2023 u regjistruan 4798 raste të dhunës në familje me 2030 autorë të identifikuar nga policia, ku 733 prej tyre u arrestuan dhe dënuan nga drejtësia. Ndërsa pjesa më e madhe janë gjykuar në gjendje të lirë.
Dhuna në familje mbyt një nënë dhe fëmijët e saj.
Nëna e re Alma Arrazi bashkë dhe tre fëmijët e saj të moshës 9, 8 dhe 3 vjeç, dyshohet se janë vetëmbytur në ujrat e Lumit Buna. Sipas policisë vendore të Shkodrës hetimet e thelluara kanë zbardhur rastin e dhunës në familje, që ka shkaktuar vetëvrasje. Dyshimet e para lindën pas gjetjes së trupit të pajetë të vajzës 9-vjeçare, për të cilën e ka konfirmuar vetë policia.
Ndërkohë, një grup hetimor po merr në pyetje të afërm të familjes Arrazi, për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Policia dyshon dhe ka ndaluar bashkëshortin e saj, 31 vjeçarin Ergys Arrazi, me akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes si pasojë e dhunës së ushtruar”.
Policia e Shkodrës u vu në lëvizje për gjetjen e nënës dhe tre fëmijëve pas kallzimit të bërë një ditë më pas, më 3 maj, nga bashkëshorti dhe babai i fëmijëve.