Juristi Kreshnik Spahiu tha në “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania se rezoluta e kryeministrit Rama do të dështojë, pasi ajo është thjesht deklarative dhe shprehje e vullnetit politik.
Ai i bëri një “skanim” mbledhjes së Partisë Socialiste të ditës së sotme, duke treguar disa probleme të cilat sipas tij do të çojnë në dështimin e rezolutës.
“Mbledhja dhe produkti që nxori Partia Socialiste nuk kanë mbështetjen e askujt. Së pari është bërë pa mbështetjen dhe konsulencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
Madje u nxitua të bëhej para 1 korrikut kur vjen ambasadori i SHBA-së i cili nuk mund të mbështesë një iniciativë kaq të njëanshme e cila interferon në mënyrë të drejtpërdrejtë te pushteti gjyqësor, e dyta nuk ka mbështetjen e vetë pushtetit gjyqësor dhe institucioneve.
Pra nuk ka shprehje nga institucionet e drejtësisë që të kërkojnë ngritjen e një komisioni Parlamentar mbështetës, së treti nuk ka mbështetjen e opozitës dhe sipas gjithë gjasave rezoluta e Partisë Socialiste nuk do të votohet as nga partia e vulës as nga Rithemelimi”,-tha Kreshnik Spahiu.