Takimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama në Athinë ka shkaktuar një valë komentesh në mediat e vendit fqinj. Konkluzioni që nxjerrin ato është nxitimi dhe kokëfortësia e Ramës për të mos e shtyrë takimin pas zgjedhjeve europiane.
“Nuk kishte asnjë arsye në favor të nxitimit të tij për të nisur takimet me diasporën shqiptare në Greqi. Kërkesa diplomatike e Athinës për ta shtyrë vizitën u injorua nga Rama” – shkruan gazeta Protothema.
Vizita e Ramës në Athinë përkon me 1-vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit, e kjo për mediat atje nuk është anashkaluar si rastësi.
E përdtishma Ta Nea i vë titullin “Rama provokator i papenduar, kreshendo raciste kundër Greqisë me referenca për çamët”,artikullit të saj për vizitën e kryeministrit shqiptar.
“Kathimerini” ndalet vetëm tek masat e rrepta të sigurisë që shoqëruan Ramën me 1 mijë efektivë. Gazeta greke shkruan se ky takim shkaktoi një turbullim të ri në marrëdhëniet greko-shqiptare.
Ndërkohë, “Cnn Greece” i mëshon në shkrimin e tij deklaratës së Ramës se nuk shkoi në Athinë për “të provokuar”, por “për të takuar njerëzit e tij”. Kjo media thotë se organizatorët e vlerësojnë pjesëmarrjen në afërsisht 4000 persona.