Goditja ndaj grupeve kriminale nga SPAK, ja cilët janë rolet e ish-deputetit dhe katër zyrtarëve të policisë

Shqipëria

Goditja ndaj grupeve kriminale nga SPAK, ja cilët janë rolet e ish-deputetit dhe katër zyrtarëve të policisë

Më: 18 maj 2024 Në ora: 15:29
Arben Ndoka

SPAK ka lëshuar urdhër arrest për ish-deputetin Arben Ndoka dhe katër zyrtarë të tjerë të policisë.

Në njoftimin zyrtar të SPAK, mësohet se Noka kishte rol drejtues përgjatë vitit 2020.

Njoftimi:

Hetimi ka nxjerrë në pah se, këto grupe kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash me qëllim realizimin e vrasjes të kundërshtarëve të tyre. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë shumë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore.

Nga hetimi është evidentuar gjithashtu edhe përfshirja e një ish Deputeti, katër punonjës policie, dy prej tyre në role drejtuese, gjatë vitit 2020, përkatësisht:

– Ish Deputeti me iniciale A.N.;

– Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me iniciale H.M.;

– Shefi i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në po këtë drejtori, me iniciale K.SH.;

– 2 efektivë të Repartit Special RENEA, me iniciale A.M. dhe A.P.

Kështu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi H.M., me detyrë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shtetasin K.Sh. dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës.

Po ashtu i hetuari H.M., në bashkëpunim me shtetasin P.Gj., aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.

Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi D.B., në bashkëpunim me shtetasin A.M. (me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit) kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, falenderon në mënyrë të veçantë Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.

Një falenderim i veçantë i drejtohet Eurojust, Europol, dhe agjencive ligjzbatuese holandeze, belge, franceze, gjermane, italiane, spanjolle dhe greke, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat