Temë e emisionit Revieww në Euronews Albania, këtë të shtunë, ishte rezoluta anti-korrupsion e propozuar nga Partia Socialiste dhe kryeministri Rama dhe që pritet të kalojë ditën e hënë në parlament.
I ftuar në studio përfaqësuesi i ligjor i Partisë Demokratike, Rezart Kthupi, tha se rezoluta e prezantuar nga maxhoranca ka si qëllim të prekë reformën në drejtësi.
Kthupi theksoi se ashtu sikurse u tha që nuk do të liroheshin zyratrët e korruptuar përmes amnistisë penale, ashtu dhe përmes rezolutës anti-korrupsion do të preket reforma në drejtësi.
“Në një deklaratë që nuk ka për qëllim të prekë reformën në drejtësi nuk futen 4 paragrafë për reformën në drejtësi. Shikoni pikën 7 dhe 8 të rezolutës. Në pikën 7 flet për pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, por është lapsus frojdjan. Një njeri që nuk do ta bëjë diçka nuk ka pse e deklaron atë. Janë të njëjtët njerëz që thanë se nuk do të lirohet asnjë zyrtar i korruptuar nga amnistia dhe ja ku u liruan. E njëjta gjë është dhe këtu”, tha ai.
Kthupi shtoi se Rama do ta përdorë kalimin e rezolutës në parlament për retorikë politikë, që t’u thotë shqiptarëve që ata që nuk votuan rezolutën time kundër korrupsionit, janë ata që nuk duan shtetin e së drejtës.
“PS-ja do që ta përdorë që kushdo që nuk voton rezolutën e PS kundër korrupsionit, jo rezolutën e përbashkët, por rezolutën e PS, është kundër shtetit. Kjo do jetë retorika. Po të kishte vullnet PS-ja i kemi futur ne si nisma, janë 5 pika të rezolutës, PS nuk i fut as t’i shqyrtojë”, tha ai.