Qeveria sapo ka çelur sezonin turistik, por a është gati Shqipëria për të mirëpritur turistët e huaj? Çfarë ofrojmë ne realisht?
Kësaj pyetjeve iu përgjigj në emisionin “DREJT” të moderuar nga Luan Rama në “Ora News”, përfaqësuesi i Shoqatës Hoteleri-Turizëm Zak Topuzi.
“Qeveria po bën gati strategjinë 2024-2030, në një kohë kur gjysma e vitit ka ikur dhe ato strategji duhet të shmangin disa problematika. Së pari të mos na kapë turizmi low-coast që shqetëson gjithë botën sot.
Dhe reklamën ne e bëmë: “Hajdeni se Shqipëria është e lirë”! dhe po t’i shikosh sot, ka shumë turistë në jug, por janë nga këta me motora, me çanta me vete, dhe nuk shpenzojnë shumë aty ku shkojnë. Dhe një nga direktivat që u dha në këtë konferencë ishte trefishimi i turistëve elitarë, që do të shkojë në 540 miliardë dollarë.
Ne kemi një mesatare diku tek 420 dollarë në vit për turistë dhe e kemi dy herë më të ulët se të Kosovës. Këtu pra ka një problem, ose raporton një numër më të madh turistësh, ose bën të kundërtën. Pra, pa statistika është e pamundur që të nxjerrësh konkluzione. Sepse ne e kemi të pamundur të nxjerrim statistika reale të turizmit.
Ne kemi shtresën e mesme që pushimet i bën direkt në Turqi, sepse ne kemi ndërtuar më shumë vila dhe apartamente në vijën bregdetare se sa kemi ndërtuar resorte”, u shpreh Topuzi.