Një punonjës policie ka mbetur i plagosur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur pasditen e kësaj të enjteje (20 maj) në aksin Lezhe – Laç.
Sipas informacioneve paraprake në aksident është përfshirë një mjet i tonazhit të rëndë, trajler i cili është përplasur me një automjet.
Një person ka mbetur i plagosur dhe sipas informacioneve është drejtues i mjetit, njëherazi edhe efektiv policie.
“Rreth orës 15:30, në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, kamioni me drejtues shtetasin boshnjak Nj. G. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Gj. V., punonjës policie i DVP Lezhë, i cili sapo kishte përfunduar shërbimin. Si pasojë e aksidentit është dëmtuar shtetasi Gj. V., i cili po dërgohet në spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë mjekësore. Me shtetasin Nj. G. po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor dhe opgj të AMP-së, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën në vendngjarje, për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, bëhet e ditur në njoftimin e policisë.