Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi i ka bërë thirrje SPAK që të sekuestrojnë pronat e familjarëve të Redi Mollës dhe Mariglen Qatos, që sipas tij janë vënë nga pasuritë e korrupsionit me skemën 5D.
Nga selia blu, Këlliçi ka publikuar rastin e një vile në qendër të Tiranës që sipas tij është në pronësi të prindërve pensionist të Redi Mollës, dhe që shërben si hotel.
Sipas tij kjo pronë është blerë gjatë pandemisë me çmim shumë të lartë, ndërkohë që shton se SPAK duhet të sekuestrojë çdo pronë dhe të ndalojë kompaninë 5D të marrë fonde publike. Ai ka ironizuar në deklaratën e tij prokurorët e SPAK, duke i cilësuar si ‘kolegët e Erinonit”
“Kjo kompani është rast unik hetimor pasi SPAK jo vetëm që nuk e vendos nën sekuestro, por prestanomen Nestor Muhametllari e lë të lirë pa asnjë masë arresti, që të vazhdojë të përfitojë fonde publike. Por më e rëndë se ky fakt, është lejimi i shitjes së aseteve në palë të treta e më pas zhdukja e parave të bandës 5D.
Sot kolegët e Erionit duhet t’i japin llogari qytetarëve se përse kompania 5D nuk është nën sekuestro.
Sot kolegët e Erionit, duhet t’i japin llogari qytetarëve se përse asetet dhe pasuria e Mariglen Qatos dhe të afërmve të tij nuk është nën sekuestro.
Sot kolegët e Erionit, duhet t’i japin llogari qytetarëve se përse pasuria marramendëse e Redi Mollës dhe të afërmve të tij nuk është nën sekuestro.
Sot SPAK duhet të na thotë se përse kjo vilë që shihni në ekran, me vlerë marramendëse në zonën më të lakmuar të Tiranës, e blerë nga 2 prindërit pensionistë të Mollës, në kulmin e pandemisë në korrik të vitit 2020, nuk është nën sekuestro dhe vazhdon biznesin e hotelerisë pa asnjë shqetësim”, thekson Këlliçi.