Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Edvin Kulluri ka komentuar në një media ngritjen e komisionit të posaçëm antikorrupsion. Kulluri u shpreh se komisioni i posaçëm antikorrupsion është i panevojshëm. Kulluri shtoi se mazhoranca e voton, ndërsa opozitës nuk i ngelet asgjë tjetër përveç se mos ta votojë.
“Forca e kartonit të mazhorancës është bërë sepse mazhoranca ka ndërmend të ndërhyjë te kodet, të ndërhyjë në Kushtetutë për të riparë le të themi Reformën në Drejtësi, e ka të pamundur ta avancojë këtë agjendë kështu që nuk kemi nevojë të bëjmë asnjë përpjekje përveçse të mos votojmë prapë”, deklaroi ai.
Gjithashtu Kulluri theksoi se komisioni i posaçëm antikorrupsion është i panevojshëm.
“Besoj se deri tani edhe partitë jo parlamentare, përveç PD së Rithemelimit, Partisë së Lirisë të gjithë janë në një mendje që një reformë ose një komision që do të rishikonte le të themi legjislacionin themelor në lidhje me çështjet e korrupsionit është i panevojshëm. Dhe në fakt realisht është i panevojshëm”, u shpreh Kulluri.
Ndër të tjera, Kulluri theksoi se qeverinë nuk e ka penguar asgjë që të luftojë korrupsionin brenda vetes, ndërsa nuk ka kursyer akuzat se ka qenë vetë vullneti i tyre për t’u korruptuar.
“Së pari sepse mazhoranca nuk e ka penguar asgjë që të luftojë korrupsionin brenda vetes dhe të qeverisë në mënyrë korrekte me ligjin. Pra ka qenë tërësisht vullneti i tyre politik për t’u korruptuar ose për të mos parë korrupsionin brenda qeverisë. Kjo duket nga zero raste të korrupsionit të nivelit të lartë që qeveria ka çuar në SPAK”, nënvizoi Kulluri.