Një tjetër aksident me vdekje ndodhi sot në galeritë e kromit në Bulqizë.
Minatori Zini Murati (60) humbi jetën pasi një masiv dheu dhe inertesh e zuri poshtë, teksa po punonte.
Policia e Shtetit njoftoi se në orën 11:30, minatori u dërgua në spital pa shenja jete.
Në deklaratën e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, thuhet se aksidenti ka ndodhur në punë në minierën e Bulqizës dhe se grupi hetimor është duke punuar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Ky është aksidenti i dytë fatal brenda një periudhe të shkurtër në këtë sektor, pasi disa ditë më parë një 40-vjeçar humbi jetën në një galeri kromi në Martanesh.