Avokati Sokol Mëngjesi vijon të jetë në intubim. Sot i është bërë skaneri dhe është parë një ulje e ënjtjes në tru dhe sipas burimeve ka përmirësime.
Por do e mbajnë edhe për dy ditë në intubim, për të mos rrezikuar. Sot ka nisur prej mjekëve zgjimi gradual i Mëngjesit, duke zbutur qetësuesin e dhënë ndaj tij. Do qëndrojë me këtë ilaçin më të butë, që lejon t'i shikohet reagimi. Në këtë gjendje mjekët do ta lënë deri nga dita e enjte.
Avokat Mëngjesi u dhunua pak ditë më parë, më 29 maj, në zonën e ish-bllokut. Sapo la fëmijën në kopësht disa persona goditën avokatin duke e lënë të shtrirë në tokë pa ndjenja në dyert e jashtme të kopshtit nr.31 në kryeqytet. Që prej ditës kur u dhunua, Mëngjesi ka qenë nën kujdesin e mjekëve të Traumës, reanimator dhe neokirurg.Autorët u identifikuan nga policia, ndërsa njëri prej tyre u vetëdorëzua në DVP e Tiranës. Policia bëri të mundur më pas kapjen e porositësit, Dritan Nano. Dorian Alia, 32 vjeç u vetëdorzëua dhe në kërkim janë autorët e tjerë të dhunës: Drivald Alia, Elton Kasa dhe Romario Tabaku, i cili ndihmoi autorët të largoheshin nga vendngjarja.
Dhuna ka ardhur si paralajmërim që avokati 45 vjeçar të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit.
58-vjeçari Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës që kishin firmosur, pasi Mëngjesi fitoi gjyqin për pronën e një familje me 8 trashëgimtarë, aty ku sot janë ndërtuar kulla te Diga e Liqenit. Ndërkohë, vetë Nano ka mohuar të jetë porositësi i dhunës ndaj avokatit.