Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ishte i ftuar dje në një media, ku komentoi zhvillimet e fundit në kampin opozitar në përgatitjet për zgjedhjet parlamentare 2025. Fokusi ishte fillimisht tek propozimi i mazhorancës për ngritjen e një komisioni bipartizan për të luftuar korrupsionin.
Mediu thotë se nuk duhet përjashtuar asnjëherë mundësia për të bashkëpunuar kur ka vullnet nga qeveria për të luftuar korrupsionin. Sakaq, ai shton se vendimet e njëanshme dhe përjashtuese e kanë dëmtuar gjithnjë opozitën duke kujtuar bojkotin e reformës territoriale, djegies së mandateve apo bojkotin e zgjedhjeve të 2019.
Nga ana tjetër, Mediu komenton edhe krijimin e shumë partive duke ironizuar se sa më shumë shqiptarë largohen, aq më shumë rritet numri i kandidatëve për kryeministër. Ndërkohë Mediu nuk mendon se opozita duhet të përjashtoje kapitalin e vet historik.
Sa i përket Berishës si një kandidat i mundshëm për të qenë në krye të opozitës për zgjedhjet e 2025, Mediu thekson se më së pari duhen bashkuar të gjithë shqiptarët që jetojnë në perëndim pasi janë kapacitet cilësor.