Prokuroria e Tiranës ka dhënë masat ndaj 9 personave, mes tyre ndihmës specialistë dhe kontrollor në aeroportin e Rinasit, të cilët dyshohet se kanë marrë ryshfete për të kaluar qytetarët drejt vendeve të BE-së.
Ministri Balla ka bërë një reagim pas arrestimit të këtyre punonjësve të aeroportit , ku shprehet se Policia e Shtetit po përpiqet që dita ditës të largojë nga trupa e shëndoshë e Policisë elementët e dëmshëm, që njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave.
“Rritja e besimit të publikut tek Policia e Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, përmes të cilit po largojmë ditë pas dite nga trupa e shëndoshë e Policisë elementët e dëmshëm, të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi.
Përgëzime Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për rezultatet e dukshme dhe premtuese për një intensifikim edhe më të madh të këtij procesi vetëpastrimi. E nxis AMP të forcojë bashkëpunimin institucional me SPAK, prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm, si dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, për të garantuar standarde të larta të integritetit dhe pastërtisë së figurës së punonjësve të policisë”, shkruan Balla.