Ministrja Denaj: Dezinfektim në zonën e Belshit dhe Divjakës ndaj karkalecave

Shqipëria

Ministrja Denaj: Dezinfektim në zonën e Belshit dhe Divjakës ndaj karkalecave

Më: 5 qershor 2024 Në ora: 08:13
Anila Denaj

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur dezinfektimin në zonën e Belshit dhe Divjakës pas shfaqjes së karkalecit maroken dhe italian. Ministrja Anila Denaj bëri të ditur dje se dezinfektimi po kryhet për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të parazitëve.

“Referuar rasteve të shfaqjes së karkalecit maroken dhe italian në sipërfaqet e kultivuara me kultura bujqësore në zonën e Belshit dhe Divjakës, për të marrë masat në kohë, ka filluar dezinfektimi për të mbajtur situatën nën kontroll dhe ndalur përhapjen e mëtejshme të parazitëve”, u shpreh ajo.

Sipas saj, preparatet nuk ndikojnë në vezët e insekteve, prandaj ndërhyrja më efektive është periudha e shfaqjes së fazës së katërt të larvave, pasi në këtë fazë ka përfunduar çelja e gjithës breznisë së dëmtuesit.

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po punon për të siguruar asgjësimin e parazitëve duke siguruar kështu prodhim të shëndetshëm dhe mbështetur të gjithë fermerët për të gjetur zgjidhje efektive dhe afatgjatë për të mbjellat”, siguroi Denaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat