Ish kryeministri Sali Berisha u shpreh se kolosët mediatikë evropianë, Rai3 dhe BILD kanë ngritur alarmin se Shqipëria është një narkoshtet.
Fjala e Berishës:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju misionarëve të vërtetë të lirisë, dinjitetit njerëzor dhe dinjitetit kombëtar.
Të dashur qytetarë edhe qytetare, demokrate dhe demokratë.
Sot është dita e 156, që unë mbaj fjalën time këtu në Rrugën e Shpresës. Nga këto 156 ditë, kjo është fjala më e rëndësishme që unë kam mbajtur. Por jo vetëm.
Në 33 vite karrierë politike, kurrë ndonjëherë, një mesazh i imi, nuk ka qenë më emergjent se ky mesazh i sotëm për ju dhe mbarë shqiptarët.
Në 33 vite karrierë, kurrë ndonjëherë, një thirrje e imja, nuk ka qenë kaq jetike se kjo që bëj sonte në emër tuaj dhe të PD.
Prandaj fjalët e mia sot shkojnë në çdo rrugë, në çdo shesh, në çdo qytet, në mbarë vendin. Këto fjalë shkojnë për çdo rrugë dhe rrugicë të Shqipërisë.
Këto fjalë shkojnë për zemrat e çdo shqiptari. Çdo njeriu, që nën deje ka gjak shqiptari.
Demokratë dhe opozitarë të tjerë. Socialistë dhe pa parti. Këto fjalë u shkojnë partive të mëdha dhe partive të vogla.
Shoqërisë civile, emigracionit dhe diasporës. Të rinjve dhe të moshuarve. Nënave dhe baballarëve. Vëllezërve dhe motrave.
Por këto fjalë shkojnë edhe për kritikët e Berishës.
Ka momente në histori, që ndasitë duhen lënë mënjanë. Ka momente në histori, që lufta politike eklipsohet nga një emergjencë ekzistenciale.
Për çdo popull, vjen një moment në histori kur ndodhet përpara pyetjes: "Të jesh apo të mos jesh?"
Ky është ai moment për kombin shqiptar! Dhe sot çdo shqiptar duhet t'i shohë gjërat siç janë.
Kemi dy kolosë të mediave europiane. Rai 3, një media 45-vjeçare. Dhe Bild, një media gjermane 72-vjeçare, që kanë ngritur alarmin se Shqipëria është një narkoshtet.
Së pari ju drejtohem socialistëve. Shiheni të vërtetën në sy. Edi Rama nuk është më kryeministri juaj.
E dëgjuat me zë dhe figurë para dy ditësh, ai pohoi në emisionin e Rai 3 se në zyrë ka pritur narkotrafikantë të kartelave meksikane. Ka pritur përfaqësuesit kryesorë të të gjitha familjeve mafioze shqiptare.
Martin Luter King ka thënë se të injorosh të keqen të bënë bashkëpunëtor me të keqen.
Nuk është Edi Rama pra kryeministri juaj. Mos u gënjeni nga "drejtësia e re". Shikoni faktet.
Kemi një incenerator që nuk ekziston. Një incenerator që janë paguar 130 milionë euro.
Dhe autorët e saj kryesorë, Edi Rama, Erion Veliaj janë të lirë. Asnjë qindarkë e vjedhur nuk ju është kthyer mbrapsht.
Por fakti më ulëritës është se sot e kësaj dite paratë tuaja vazhdojnë të shkojnë te sipërmarrja fantazmë e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, inceneratori i Tiranës!
Shikoni faktet. Kompania 5D u kap duke vjedhur me modelin 100%. U arrestuan disa drejtorë. Por Erion Veliaj, hajduti më kryesor në këtë vjedhje, është ende i lirë.
Ende ju vjedh. Ende ju poshtëron. Erion Veliaj vazhdon edhe sot, pas skandalit, të kontraktojë kompaninë e vet 5D dhe t'i çojë paratë tuaja në kontot e kompanisë së tij.
Këta nuk janë thjeshtë hajdutë ordinerë. Këta janë monstrat e vjedhjeve.
Këto nuk janë vetëm paratë e demokratëve. Janë paratë e çdo shqiptari që po vidhen.
Monstrat e maskuara si qeveri duan të shkatërrojnë familjen. A e dini ju se në këtë moment, në parlament kanë sjellë ligjin e surrogacisë? Apo thënë ndryshe ligjin e tregtisë së foshnjave.
Këta monstra, nënën e shenjtë shqiptare duan ta shndërrojnë në fabrikë prodhimi.
Këta monstra, fëmijët e shenjtë shqiptarë, duan t’i shndërrojnë në produkt për t’u shitur.
Këta mostra, familjen e shenjtë shqiptare duan ta shndërrojnë në numër, ku nuk ka më nënë as baba, por ka prind 1 dhe prind 2.
Nuk janë vetëm familjet demokrate që rrezikohen këtu të dashur shqiptarë. Janë familjet socialiste.
Janë familjet pa parti. Janë familjet e veriut. Familjet e Shqipërisë së mesme. Familjet e jugut.
Çdo familje shqiptare sot është në rrezik ekzistencial.
Shoqëria shqiptare nuk ka qenë kurrë më e thyer se ditët e sotme. Epidemi vetëvrasjesh dhe tentativa për vetëvrasje. Krime në familje. Sherre të përditshme për motive banale.
Bërthama e gjithë këtyre problemeve sociale është varfëria.
Sepse Edi Rama i ka bërë shqiptarët të paguajnë çmimet më të shtrenjta në Europë dhe të marrin si shpërblim pagat më të ulëta.
Qiratë janë bërë të papërballueshme. Ushqimet bazike të ngjajnë trashmë me një luks për nga çmimet.
Taksat u marrin frymën bizneseve dhe qytetraëve.
Si mundet shqiptari, në këtë tokë që Zoti e bekojë me begati, të katandiset në këto kushte varfërie?
Kjo sepse pasuritë e Shqipërisë janë mallkim për shqiptarët, por janë parajsë për Edi Ramën, Olsi Ramën, Olta Xhaçkën, për burrin e saj, ministrat, bashkiakët dhe serinë e tyre të hajdutëve të paparë më parë.
Kjo sepse taksat e shqiptarëve janë mallkim për qytetarët, por janë parajsë për Erion Veliajn dhe hotelet që ndërton me to.
Kjo sepse tokat e Shqipërisë janë mallkim për fermerët, por janë parajsë për narkotrafikantët e Edi Ramës.
Kjo sepse shteti i Shqipërisë ka 11 vite që është shndërruar në narkoshtetin e parë dhe të vetëm të Europës.