Protestë e dhunshme në ambientet e jashtme të Kuvendit! Çfarë po ndodh mes mbështetësve demokratë dhe policisë
Protesta e opozitës ka agravuar në dhunë dhe përplasje të forta me policinë.
Ata kanë tentuar të shkatërrojnë kordonin e krijuar nga uniformat blu.
Mbështetësit më pas kanë nisur të godasin me grushte policinë dhe duke i shtyrë.
Deputeti democrat Klevi Balliu është përplasur m policinë, duke iu bashkuar mbështetësve të tjerë.
Balliu dhe protestuesit përplasen me policinë dhe tentojnë të futen në Kuvend, FNSH dhe makinat ujëhedhëse në gatishmëri
FNSH dhe makinat ujëhedhëse janë vendosur para oborrit të Kuvendit, duke qëndruar në gatishmëri nëse protestuesit thyejnë kordonin e policisë.
Deputeti Klevis Balliu dhe mbështetës të opozitës kanë tentuar vazhdimisht që të thyejnë kordonin, duke u përplasur fizikisht me policinë, për t’u futur në Kuvend.
Po ashtu edhe nga podiumi i opozitës dëgjohen thirrje “hapni rrugën”, drejtuar policisë për t’u futur në Kuvend.
Protestuesit përplasen me policinë, tentojnë të hyjnë në parlament
Është përshkallëzuar protesta e opozitës në ambientet e jashtme të parlamentit. Pas djegies së pirgjeve me goma, protestuesit kanë qëlluar me vezë dhe mollë në drejtim të kordonit të policisë të vendosur në ambientet e jashtme të sallës së seancave plenare.
Pas shpërthimit në flakë të gomave të lyera me benzinë situata duket se u qetësua përkohësisht, me qytetarët dhe uniformat blu që u spostuan nga pozicionet e tyre në nisje të protestës, kjo dhe për shkak të ambientit të rëndë të krijuar si pasojë e tymit.
Por pas djegies së gomave pati sërish konfrontime mes protestuesve dhe policisë të cilët tentuan të thyejnë kordonin e policisë dhe të hyjnë në ambientet e parlamentit.
Në gadishmëri qëndrojnë forcat RENEA, të cilët po monitorojnë situatën, ndërkohë që autoboti me ujë është afruar për të ndaluar turmën të çajë kordonin e policisë.
Duket se dhe në protestën përballë parlamentit do të përdoret i njëjti skenar te protesta përballë bashkisë së Tiranës, përmes djegies së gomave dhe tentativave për thyerjen e koordonit të policisë.
Me pankarta në duar dhe nën thirrjet “Rama ik”, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Protesta e opozitës cjen pas investigimit të emisionit Rai 3, ku u hodhën akuza për lidhje të qeverisë me personazhe të inkriminuar.
Kuvendi i Shqipërisë nis me tensione, jashtë protestuesit sulmojnë policinë
Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë nisi me tensione, pasi opozita kërkon rikthimin e ish-kryeministrit, Sali Berishës në grupin e Partisë Demokratike.
Deputeti, Flamur Noka kërkonte fjalën dhe u çua në foltore duke e bllokuar.
Kryeparlamentarja, Nikolla i kërkoi të ulet në vend dhe pas agravimit të situatës, e para e Kuvendit ndërpreu seancën për pesë minuta pushim.
E jashtë, tensionet janë ende më të mëdha, pasi protestuesit shtyjnë policinë e i godasin me gurë.
Protesta e opozitës para Kuvendit, protestuesit vendosin goma të vjetra
Ditën e sotme para Kuvendit, opozita ka lajmëruar zhvillimin e një proteste pas reportazhit investigues që u transmetua nga televizioni italian Rai3, të dielën. Protesta ka nisur në orën 10:00, në të njëjtën kohë me nisjen e seancës së sotme plenare. Ndërkohë para Kuvendit janë mbledhur protestuesit ashtu siç ishte njoftuar.
Gjithashtu raportohet se protestuesit janë parë me goma para Kuvendit. Në protestën e kaluar të opozitës para bashkisë së Tiranës u dogjën disa goma duke krijuar tym dhe tensione.
Pritet që gjatë kësaj proteste të ketë djegie të tjera të gomave.
Para grumbullimit të protestuesve u raportua se rreth 400 efektivë nga Policia e Tiranës (efektivë të rendit, forcat Shqiponja, agjentë) dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare (FNSH) janë angazhuar për mbarëvjatjen e protestës para parlamentit.
Sot opozita protestë para Kuvendit, policia me plan masash, disa rrugë të bllokuara
Opozita ka thirrur sot një protestë që do e zhvillojë para Parlamentit, në një kohë që do të nisë seanca plenare.
Protesta është njoftuar se do të nisë në orën 10:00, ndërsa Policia e Shtetit ka marrë disa masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të tubimit. Në zbatim të planit të masave, duke nisur nga ora 08:00 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin Zhan D’Ark dhe rrugën “Xhorxh Bush”.
Drejtuesit e automjeteve, ato të transportit publik, si dhe këmbësorët gjithashtu, iu bëhet thirrje që të shmangin këto rrugë dhe të përdorin rrugë alternative.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe perfaqësuesve të subjekteve politike, të ushtrojnë të drejtën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit, sipas përcaktimeve ligjore dhe përsërit thirrjen për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune, pasi nuk do të tolerohen sjellje apo veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftimin e Policisë.