Ja cilët janë sektorët e preferuar për pastrimin e parave të pista në Shqipëri, zbardhen detajet

Shqipëria

Ja cilët janë sektorët e preferuar për pastrimin e parave të pista në Shqipëri, zbardhen detajet

Më: 6 qershor 2024 Në ora: 08:16
Foto ilustrim

Pastrimi i parave vijon të mbetet një ndër krimet më të përhapura tek grupet kriminale shqiptare. Në raportet e instucioneve vendase dhe të huaja nënvizohet se ka një rritje të përdorimit të shoqërive tregtare, të cilat shërbejnë për të marrë dhe transferuar paratë e fituara nëpërmjet veprimtarive kriminale, duke i shpërndarë ato nëpërmjet investimeve dhe transaksioneve tregtare të rregullta.

Investimet në prona të luajtshme (mjete motorike, veshje luksi, ora të markave të shtrenjta, bizhuteri, etj) dhe pasuri të paluajtshme mbeten ende ndër format më të preferuara të pastrimit të parave, kryesisht në apartamente, ndërtesa, troje, njësi shërbimi etj qoftë në qytetin e Tiranës, por dhe në zonat turistike bregdetare.

Sektorë të tjerë të ekonomisë ku kryhet ky aktivitet i paligjshëm janë call-centerat, lojërat e fatit, tregtia dhe turizimi.

Sipas indeksit të Bazelit, në analizën vjetore të vitit 2023, në nivel global janë pastruar nga 900 në 1500 miliardë dollarë. Në rajonin e Ballkanit shifrat e pastrimit të parave llogariten nga 1.8 në 4.6 miliardë dollarë, ndërkohë që në Shqipëri shifrat raportohen të jenë nga 300 në 700 milionë dollarë.

Vlerësimi i informalitetit në Shqipëri llogaritet në shifrat 25-30% sipas Komisionit Evropian, ndërkohë që BERZH-i e përllogarit në 25-50%, Banka Botërore dhe FMN-ja në 40% dhe Ernts@Young në shifrat rreth 22-40%. Burimi i parave të pista në Shqipëri vjen kryesisht nga aktivitetet kriminale, korrupsioni dhe mashtrimet nga taksat, për t’u pastruar më pas duke u injektuar në ekonomi përmes pasurive të patundshme, pasurive të tundshme dhe bizneseve, shkruan “Euronews Albania”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat