Qeveria hedh për konsultim pr/ligji “Për inspektimin”, prioritet këshillimi i subjekteve dhe përdorim i teknologjisë nga inspektorët

Shqipëria

Qeveria hedh për konsultim pr/ligji “Për inspektimin”, prioritet këshillimi i subjekteve dhe përdorim i teknologjisë nga inspektorët

Më: 6 qershor 2024 Në ora: 09:06
Qeveria shqiptare

Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për inspektimin”, i cili do të unifikojë inspektimit në nivel qendror dhe vendor, funksionet, rregullat dhe procedurat që zbatohen gjatë inspektimit, si dhe marrëdhënien e punësimit, rekrutimit, trajnimit dhe ecurisë në karrierë të inspektorëve. Përmes këtij pr/ligji qeveria synon mbrojtjen e interesit publik, forcimin e transparencës dhe llogaridhënies, përmirësimin të vazhdueshëm nëpërmjet këshillimit të subjektit të inspektimit si dhe rritjen e efektivitetit të administratës publike nëpërmjet përdorimit të teknologjisë në veprimtaritë e inspektimit. Në pr/ligj është vendosur parimi i pavarësisë së inspektimit, sipas të cilit, trupa inspektuese brenda kompetencave të dhëna me ligj apo akte nënligjore, është plotësisht e pavarur në kryerjen e procesit të inspektimit dhe marrjen e vendimeve për inspektimet që kryen. Po ashtu, pr/ligji i ri siguron këshillimin si masë të parë ndaj subjektit të inspektuar të gjendur në shkelje.

“Vendoset parimi i këshillimit dhe informimit të subjektit të inspektimit parim sipas të cilit trupa inspektuese siguron këshillimin e subjektit të inspektimit për parandalimin dhe shmangien e shkeljes së kërkesave ligjore dhe e informon subjektin e inspektuar për të drejtat dhe detyrimet e tij në procesin administrativ të inspektimit dhe për pasojat ligjore të veprimeve apo mosveprimeve të tij”, thuhet në relacion. Sipas relacionit të pr/ligjit, është vërejtur mungesë e pavarësisë dhe e besueshmërisë nga subjektet e inspektimit tek komisionet e shqyrtimit të ankimit të dënimeve dhe masave administrative, të ngritura pranë inspektorateve përkatëse.

Vetëm 6 % e vendimeve përfundimtare të inspektimit i nënshtrohen ankimit administrativ nga subjektet e inspektimit. Ndaj propozohet që ankimi i subjektit të inspektimit të mos shqyrtohet nga trupa kolegjiale të ngritura pranë organeve inspektuese, duke shmangur konfliktin e interesit. Inspektorati i Përgjithshëm do të garantojë shqyrtimin e ankimeve në formë transparente, bazuar në prova dhe fakte.

Për rrjedhojë pritet që të shtohet besueshmëria e subjekteve të inspektimit tek procesi i rregullt i ankimit administrativ, duke ulur për rrjedhojë numrin e subjekteve të inspektimit që i drejtohen gjykatës administrative kompetente. Po ashtu, në relacion theksohet se është vërejtur një numër i lartë i inspektimeve dhe i inspektimeve të paplanifikuara, të cilat sjellin një barrë dhe kosto të konsiderueshme për biznesin. Riorganizimi, sipas relacionit, do të çojë në uljen me 40 % të numrit të inspektimeve. Inspektimet e realizuara me trupa inspektuese të përbashkëta do të sjellin ulje jo vetëm të kostos në kohë/orë inspektimi pranë bizneseve, por edhe të kostos në përdorimin e burimeve publike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat