Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilluan dje një tryezë teknike në lidhje me zgjedhjet 2025 ku fokus ishte rritja e organeve ligjzbatuese kundër shitblerjes së votës dhe krimeve zgjedhore.
Sipas ambasadorit të Prezencës së OSBE në Tiranë, Michel Tarran, prezenca e OSBE-së do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për reformë zgjedhore dhe përmirësimin e procesit zgjedhor.
“Ky takim i radhës të fokusohet në krijimet dhe veprat që cenojnë zgjedhjet. Diskutimi he zgjidhja e problematikave zgjedhore në kohë dhe para afrimit të zgjedhjeve të ardhshme do të kontribuojë në përmirësimin e standardit të zgjedhjeve veçanërisht duke pasur parasysh se shumë nga këto problematika janë shqetësime të përsëritura në raportet e OSBE ODIHR.”
Ndërkohë për kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi çështje të rëndësishme për t’u diskutuar janë fenomene të tilla si shitblerja e votës, si dhe financimi i partive politike.
“KQZ si një nga institucionet më kryesore ka një përgjegjësi të vetën në çështje që lidhen me këto aspekte negative të procesit zgjedhor, përfshi shit-blerjen e votës dhe së dyti me sjelljen e institucioneve në fushatë zgjedhore dhe përdorimin e aseteve publike. Ne kemi bërë progres domethënës në aspektin e administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri dhe të një sjellje më afër standardeve ndërkombëtare.”
Sipas Celibashit, po punohet për të ndërtuar skema dhe mekanizma për të rritur ndërgjegjësimin jo vetëm të votuesve, por edhe të qytetarëve që nuk janë votues.