Mes historisë dhe mitologjisë, Dragobia në Tropojë vendstrehim i heronjve dhe figurave mitologjike

Shqipëria

Mes historisë dhe mitologjisë, Dragobia në Tropojë vendstrehim i heronjve dhe figurave mitologjike

Më: 9 qershor 2024 Në ora: 12:19
Dragobia

E gjendur vetëm 14 kilometra larg qytetit të Bajram Currit, Dragobia një nga 7 grykat e Malësisë së Gjakovës, e përshkuar përgjatë gjithë gjatësisë së saj nga lumi Valbonë është fshati, ku historia dhe mitologjia gjallojnë së bashku ndër mijëvjeçarë.

Në dy anët e Grykës së Dragobisë epohen kreshtat e Kollatës, që ofrojnë një pamje idilike, një xhevahir i fshehur mes maleve, ku mrizojnë Orë e Zana.

Çdo pëllëmbë e Dragobisë rrëfen një histori, nga ato që prekin përmasat tokësore e qiellore, me luftime të shumta me pushtuesit malazezë e serbë, me shkjaun, të cilët mësynin në këto bjeshkë për t’i ankesuar. Në gjithë këtë përpjekje të kahershme për tu mbrojtur nga armiku, nga fqinji gjakatar malësorët i ndërtonin kullat në atë mënyrë që të kishin komunikim mes tyre dhe pika specifike prej nga ku qëllohej me armë.

Azem Shpendi, një nga banorët e Dragobisë rrëfen se në zonën e tyre ka pasur rreth 35 kulla trekatëshe, me frëngji, për tu mbrojtur nga ndonjë sulm i mundshëm.

Pikërisht në kullat e Dragobisë kanë gjetur strehim heronjtë kombëtarë, si Isa Boletini, Bajram Curri, Azem e Shote Galica, të cilët kanë luftuar krah banorëve për mbrojtjen e trojeve të të parëve.

Luftimet në male bëheshin jo vetëm nga malësorët, por në luftime të gjithëhershme ishin edhe figurat legjendare të Eposit tonë të Kreshnikëve. Pikërisht në bjeshkët e Dragobisë mendohet se shtrihen Lugjet e Verdha, ku Muji dhe Halili luftonin ndaj krajlit apo pushtuesit. Në këto lugje të blerta Ajkuna vajtoi të birin, Omerin, i cili u vra nga shkjau. Vajit të Ajkunës i bashkohet edhe Ora e Shqipërisë.

Edhe Poeti ynë Kombëtar Atë Gjergj Fishta, në “Lahutën e Malcis” i cilëson këto lugje si “log Zanash n’nam e za”, ndërsa banorët “njanin cub, tjetrin dishmor”, që luftonin për Atme e Fe.

Emrat e luftëtarëve të Dragobisë nuk u kënduan vetëm në këngë epike, por për nder të figurës së Bajram Currit, Fan S. Noli shkroi një elegji, në vargjet e së cilës përjetëson bëmat heroike të “bajrakut të malësisë”, i cili mendohet se qëndroi në një shpellë të Dragobisë.

“Dif drangoj i Dragobisë,

Trim tribun i Vegjëlisë”

Këto vargje epike të përjetësuara nga letërsia gojore dhe ajo e shkruar, jehuan në bjeshkët e Dragobisë nga zëri i “Artistes së Merituar”, nga e ashtuquajtura Çika e Dragobisë Fatime Sokoli, e cila e veshur si malësorët trima u lejua të futej në odën e burrave, për të kënduar me çifteli. I gjendur pranë kullës ku jetoi këngëtarja Fatime Sokoli, Nënkryetari i Bashkisë së Tropojës, Abedin Kalaja u shpreh se kjo kullë duhet të rikonstruktohet dhe të shndërrohet në muze.

Edhe pse e bekuar nga natyra, Dragobia ashtu si shumë fshatra të tjerë anekënd Shqipërisë është braktisur nga të rinjtë, pjesa më e madhe e së cilëve ndodhen në emigrim. Me rijetësimin e sektorit të turizmit, banorët e Dragobisë e shohin të domosdoshme rikthimin e të rinjve, për të investuar në vendin e tyre.

Dragobia e viseve përrallore, e Orës së Shqipërisë, e Mujit dhe Halilit, e Bajram Currit e Isa Boletinit, e Fatime Sokolit dhe Deli Metalisë, e Riza Zymerit e Syl Shabanit, mes historisë, traditës e kulinarisë së mrekullueshme po gjen zhvillim nga viti në vit, duke mirëpritur në kullat e saj mijëra turistë të huaj e vizitorë vendas, të cilët largohen me dëshirën e madhe për tu rikthyer sërish në ato anë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat