Diplomati Agim Nesho ka analizuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania rezultatin e zgjedhjeve për Parlamentin Europian, ku pati një rritje për partitë e ekstremit të djathtë.
Nesho tha se kjo rritje e forcave të ekstremit të djathtë erdhi për disa arsye që kanë prekur vitet e fundit jetesën e qytetarëve të BE-së.
Sipas tij, ndër arsyet kryesore të forcimit të këtyre partive janë problemet që kanë të bëjnë me luftërat në përgjithësi, me lëvizjen e çrregullt të emigrantëve, me nivelin e jetesës, etj.
“Qeverisja do të jetë një vazhdimësi. Sigurisht do të ketë disa kompromise që dalin shumë shtete në të cilat ka fituar e djathta, apo e djathta radikale si në Itali. Por nuk është rrezik sepse secili nga këta personazhe të së djathtës përpiqet të krijojë personalitetin e tij dhe të luftojë për të ardhmen e tij.
Por ajo që kanë treguar këto zgjedhje ishte e pritshme, kishte kohë që flitej për të ashtuquajturin nacionalizëm kulturor, që kishte prekur thuajse gjithë Europën, që ka të bëjë me çështjen e identitetit. Në 2019 ishte axhenda green, për arsye të mbrojtjes nga klima, nga të gjitha problemet që pati njerëzimi, që u reflektua edhe poshtë.
Por sot janë probleme të tjera, që kanë të bëjnë me luftërat në përgjithësi, me lëvizjen e çrregullt të emigrantëve, me nivelin e jetesës, inflacionit, etj. Këto kanë qenë prioritetet që çdo qytetar ka reflektuar. E djathta radikale i ka paraprirë kësaj gjëje, si çështjen e globalizmit. Këta janë kundër establishmentit, kundër të gjitha fenomeneve negative që e majta prodhoi gjatë këtyre viteve”, tha Nesho.