Berisha mori vulën e PD, Gjikondi: Vendim politik, fytyra e Metës ishte e zymtë

Shqipëria

Berisha mori vulën e PD, Gjikondi: Vendim politik, fytyra e Metës ishte e zymtë

Më: 11 qershor 2024 Në ora: 19:00
Brizida Gjikondi

Juristja Brizida Gjikondi e cilësoi si politik vendimin gjykatës së Apelit për t’i dhënë Sali Berishës vulën dhe drejtimin e Partisë Demokratike.

Ajo tha se klasa politike shqiptare priste që të merrej një vendim i tillë. Gjikondi shtoi se Ilir Meta ishte i zymtë, teksa u shpreh se deri më tani Berisha i ka bërë betejat zgjedhore nën siglën e partisë së Metës, nga e cila ka përfituar edhe ai.

“Dy elementë janë për t’u veçuar. Fytyra e zymtë e Metës, sepse deri tani Berisha të gjitha betejat zgjedhore i ka bërë nën siglën e Metës. Me anë të kësaj, Meta arriti që të merrte gati në të gjithë këshillat bashkiak të vendit, ka këshilltarë të partisë së Metës por që janë me vota të Berishës sepse kështu e bëri pazarin. Tani që Meta ka nevojë për Berishën dhe e treta është që në fund të qershorit, Berishës i mbaron mandati 6 mujor pa prezencë në parlament.

Nisur nga precedenti i Ahmetajt, mendohet t’i digjet mandati i deputetit dhe ndoshta kjo skemë që ndodhi sot, që unë personalisht mendoj se ka qenë edhe me suportin e ndërkombëtarëve, bëhet e para për t’i treguar Shqipërisë një standart demokracie me forcat politike të kahershme. Dy, për të nxjerrë Berishën nga skema në mënyrë të tillë pa dëmtuar partinë që ka kryesuar.

Këtë vendim të gjykatës do ta shikoja si politik dhe jo si ligjor dhe juridik nisur nga formimi im modest, por kam lexuar me kujdes dhe vendimin e Zhukrit, të gjitha hapat dhe vendimet që duke qenë se janë vendime me impakt, i kam parë me kujdes dhe mendoj se vendimi sot ishte politik qoftë dhe për një standard demokracie në vend.

E di që pjesës më të madhe të shqiptarëve ky vendim i ka çuditur. Klasën politike s’e besoj se e ka çuditur, ka qenë një vendim i pritshëm nga kjo klasë politike, e cila i pëlqen që të jetë gjithmonë në këtë panoramë të luftës politike në Shqipëri.

Mendoj që ky vendim që është marrë sot, që nuk kishte arsyetimin e tij, por thjesht i jepej vula edhe sigla krahut të Berishës ka të bëjë me 90 për qind të faktit të apatisë dhe mosfunksionimit të krahut të Bashës. Krahu i Bashës mund të kishte letrat dhe procedurat statuore në rregull por nuk kishte frymën, prezencën dhe aksionin politik. Edhe sot pas vendimit, pasi Noka tha se armiku jonë është Rama, dihej se gjithçka ishte e parapërgatitur, direkt Basha u duk sikur iu kundërpërgjigj Nokës dhe tha që po do të merremi me Ramën.

Në tekst ne kuptuam një harmoni të parashkruar mes të dy kaheve. Edhe Berisha tha që tani i bëj thirrje që të bashkohemi. Është një gjellë e prishur. Basha nuk shkon poshtë ballkonit. Basha është një kalë i ngordhur që nuk ka këllqe dhe nuk ka takat që të bëjë beteja politike. Berisha prandaj e ka zgjedhur si pasuesin e vet që ta kishte si skllav të bindur”, u shpreh juristja për Abc News".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat