Kurban Bajrami/ “Festa e ngjalljes së shpresës”, Kreu i KMSH uron besimtarët: Zoti na dhëntë begati e mirësi për kombin tonë

Shqipëria

Kurban Bajrami/ “Festa e ngjalljes së shpresës”, Kreu i KMSH uron besimtarët: Zoti na dhëntë begati e mirësi për kombin tonë

Më: 15 qershor 2024 Në ora: 13:37
Haxhi Bujar Spahiu

Të dielën besimtarët myslimanë në të gjithë botën festojnë Kurban Bajramin. Kreu i Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu nëpërmjet një videomesazhi ka uruar të gjithë besimtarët shqiptarë.

“Kjo festë është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit, për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufishëm”, është shprehur ai.

Mesazhi i plotë: 

Urimi i Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu me rastin e Kurban Bajramit

Të dashur motra dhe vëllezër

Nesër, me lejen e Zotit, do të festojmë Kurban Bajramin.

Festën që simbolizon sakrificën dhe bindjen e njeriut ndaj Zotit dhe mëshirën e pamatë që krijuesi ka për krijesën tij më të lartë, që është njeriu.

Kurbani është një festë në të cilën në çdo zemër e vatër duhet të hyjë gëzimi, dora e solidaritetit dhe përkrahjes.

Kjo festë është festa e ngjalljes së shpresës dhe e optimizmit për të vazhduar me këmbëngulje besnikërinë ndaj Zotit të gjithësisë, se ai është Falës i Madh, Mëshirues i Pakufijshëm.

Të dashur motra dhe vëllezër,

Kurban Bajrami është festë edhe për haxhinjtë.

Miliona besimtarëve nga e gjithë bota, të cilët po kryejnë Haxhin, u janë bashkuar qindra besimtarë nga Shqipëria, e ne lutemi që atyre t’u pranohet haxhi e të kthehen të gjithë të falur e të pastruar nga mëkatet.

Të dashur shqiptarë,

Më lejoni që në emrin tim dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë t’ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit,

Paçi gëzime në familjet tuaja,

Zoti i madhërishëm na dhëntë begati e mirësi për kombin tonë,

Zoti u dhëntë paqe të gjithë besimtarëve në mbarë botën

Gëzuar!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat