Një 56-vjeçar është arrestuar nga policia e Elbasanit pasi gjatë kontrollit në banesën e tij gjeti dhe sekuestroi armë dhe municione luftarake.
Në kuadër të operacionit të koduar ‘Next’ u vu në pranga shtetasi B. Ç., nga fshati Qerret, njësia administrative Labinot Mal si dhe u procedua penalisht për dhunë në familje djali i tij 29 vjeç.
“Menjëherë pas administrimit të kallëzimit të një shtetaseje se ajo ishte dhunuar psikologjikisht nga bashkëshorti i saj, 29 vjeç, me të cilin ishin në proces divorci, Komisariati i Policisë Elbasan, bazuar në inteligjencës policore se babai i 29-vjeçarit posedonte në banesë armë zjarri dhe lëndë plasëse, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Next”. Si rezultat, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e babait të tij, shtetasit B. Ç., në fshatin Qerret, njësia administrative Labinot Mal, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, 6 granata dore, 8 kapsolla detonatore, 16 krehëra dhe 330 fishekë luftarak.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua poseduesi i armës së zjarrit dhe lëndëve plasëse, shtetasi B. Ç., 56 vjeç.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. Ç., 29 vjeç, djali i shtetasit B. Ç., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, me të cilën janë në proces divorci”, bëri me dije policia.