2.1 milionë euro i ikën buxhetit të shtetit për blerje energjie edhe pse nuk ka më asnjë krizë energjetike. Vetëm për datat nga 1 deri më 7 korrik, çmimi i tregtimit të energjisë në bursë ka qenë mestarisht 87 euro/kWh, ndërsa KESH ka hapur ofertat për blerjen e energjisë elektrike me çmim prej 108 euro për kilovat orë.
Ky çmim nuk është i justifikueshëm në një kohë kur vetëm pak ditë më parë vendi pati reshje të dendura shiu, ndërsa Shqipëria prej vitesh tanimë e ka të mundur mbulimin e mbarë territorit në masën 97% me energji të prodhuar në vend.
Kujtojmë se Shqipëria investoi në ndërtimin e bursës Shqiptare ALPEX 2.2 mln euro e cila ende nuk përdoret. Gjithnjë është marrë si referencë bursa hungareze HUPX por tanimë tenderat po zhvillohen jashtë bursës duke përdorur një platformë të fshehtë. KESH po përdor një sistem të brendshëm, “treding” i cili nuk i lejon askujt akses duke e thelluar edhe më tej mungesën e llogaridhënies për paratë publike.
Kësisoj, blerjet me çmime të tilla i rrisin edhe më tej gropat e shkaktuara në buxhetin e shtetit përmes borxheve nga KESH. Më konkretisht, me çmimin që ka blerë KESH në energjinë në platforma të panjohura, me çmim 108 euro për kilovat orë, janë shpenzuar 2,111,135.04 euro. Ndërsa po të blihej me çmimin e referencës së HUPX prej 87 euro/kWh që ishte çmimi mesatar i datës 28 qershor kur u realizua ky furnizim me energji elektrike do të shpenzoheshin 1,712,995.2 euro. Pra, plot 400 mijë euro diferencë, të cilat ikin në drejtim të paditur. Duhet të sjellim në vëmendje se nëse shkëmbimi i energjisë elektrike do të realizohej në bursën shqiptare ALPEX, vlera totale e paguar do të duhej të ishte shumë herë më e ulët se kaq.