Edi Rama po tenton ta justifikojë një tjetër rrugë me pagesë në veri të vendit me përrallën e “Korridorit Blu”, që në fakt është një gënjeshtër.
BE nuk ja ka miratuar projektin Edi Ramës, sepse qeveria e Shqipërisë nuk ka pasur, as nuk ka paraqitur asnjë projekt, siç ka bërë Kroacia, e cila e ka ndërtuar rrugën bregdetare me fondet europiane.
Segmenti i sapoinaguruar me bujë Kashar-Thumanë apo anasjelltas, është thjesht një supermarkatë miliardash, ku shqiptarët do të duhet të lënë para kur hyjnë e kur kthehen në të, pa marrë ende vesh sa është pagesa.
Një rrugë e pa diskutuar dhe e pa konsultuar as për tarifën dhe as për mënyrën e pagesës nga qytetarët, që paguajnë një taksë të shtrenjtë për infrastrukturën në çdo litër karburant që ata blejnë. Përkatësisht secili paguan 30 cent për çdo litër karburant, e nësë normalisht mbush 20 litra paguan 2 euro. Me taksën e Kashar-Thumanë që do të jetë më e pakta 2.1 euro e mesatarja 3, kjo taksë shkon në 5, e bashkë me rrugën e Kombit shkon 12.
Një barrë që nuk ka asgjë fiskale, por duket si një haraç i pastër politik për t’i nxirë buzën e shpirtin çdo personi që do të duhet të marrë rrugën në veri të Shqipërisë, apo nga veriu e këtej.
Më shumë se një taksë apo tarifë, e gjitha është një politikë diabolike e menduar mirë, për një objektiv krejt të shënjestruar.
I cili shihet fare mirë po të kishte media normale që pasqyrojnë zhvillimet në vend.
Veriu i Shqipërisë, që ka një vlerë të shtuar si Kosova dhe shqiptarët e Malit të Zi, ka një potencial ekonomik që po pëson një zhvillim shumë të madh. Kjo, jo vetëm në turizëm, por edhe në pasuri natyrore dhe ekspansion ekonomik.
Thjesht të vësh re sa turistë të huaj vizitojnë jugun e veriun e vendit, diferenca flet vetë. Xhevahiret e Rivjerës janë thuajse bosh si Jala e Dhërmiu. Planet e biznesit të bërë nga oligarkët, që kanë investuar miliarda atje, po kthehen në pluhur.
Udhëtarët e huaj, shqiptarët e Kosovës dhe diaspora, po vizitojnë më shumë Velipojën, Shëngjinin, Ranën e Hedhur, por edhe Aplet e zonën e pasur të Zadrimës.
Nga ana tjetër, ekspansion po përjeton edhe pjesa e Mirditës, Kukësit dhe e Malësisë së Gjakovës. Dhe treguesi më i rëndësishëm dhe strategjik i këtij zhvillimi është faktori njerëzor, i cili është kthyer fuqishëm dhe po e dinamizon veriun.
Ndërkohë, jugu i Shqipërisë, edhe pse është një perlë e vërtetë nga ana e bukurive ka një defiçit të madh demografik. Zona të shkreta, duke nisur edhe nga Riviera, për të mos thënë pjesa e brendshme që po pëson një shock të madh.
Edi Rama, ka ndjekur një politikë tejet jo proporcionale të investimeve. Për në Vlorë ka ndërtuar një rrugë të standardit të lartë pa pagesë, e cila me hapjen e tunelit të Llogarasë shkon deri në fshatrat e bregut. Një ekspansion investimesh të mëdha free, por që nuk po përkthehen nga ana ekonomike.
Operatorët e Vlorës, por edhe të zonës së bregut po ankohen se deri tani atje nuk ka turistë. Ndërkohë veriu i Shqipërisë, është krejt ndryshe. Shëngjini, Velipoja, por edhe rajonet e brendshme janë full.
Edi Rama, ka ndërhyrë menjëherë për të ndalur hemoragjinë e klienteve të tij në jug, duke futur menjëherë rrugën me pagesë, ku sipas të gjitha gjasave taksa do të arrijë 4 euro në hyrje e 4 në dalje, pra 8 euro. Një kosto që mund të shkaktojë një rrumujë të madhe e gjasat janë edhe një revoltë, që në fund, ekonomikisht dobëson zonën veriore që po pëson një rritje të madhe. Rritje që po orientohet shumë nga Kosova, pasi qytetarët e saj, tashmë i kanë gjetur destinacionet e tyre, që janë zonat e Shkodrës dhe Lezhës. Vetëm një pjesë e vogël mund të shkojnë në jug.
Kjo taksë që i shkon oligarkut që ndërtoi “në kohë rekord” Thumanë-Kasharin, është një mekanizëm i njohur politik i përdorur nga Perandoria Osmane për të frenuar zhvillimin dhe shtyrë emigrimin e zonës së veriut të vendit.
I cili sot është baseni demografik që po eksplodon në vend, e së bashku me Kosovën, se shpejti mund të kthehet edhe në një realitet politik më influent në hapësirën shqiptare.
Këtë Rama dhe enturazhi i tij nuk e duron dot ndaj po e takson dhe ka për ta taksuar edhe në të ardhmen. Pikërisht për këtë duhet që veriu të marrë fatin e vet në dorë e të mos e llastojë Bablokun në spektakle me regji qendrore, sikur ka shpikur rrotën.
Nëse po ndan tapitë e shtëpive, ajo nuk është gjë tjetër, veçse detyra e tij që ka 12 vjet në qeveri. Po nëse nuk ndan tapitë, atëherë përse rri administrata në punë?
Në Itali, veriu i pasur i vendit, mori frenat në dorë dhe i tha Giorgia Melonit se nëse kërkon mbështetje, duhet të mbështesësh kërkesat e tyre për lehtësim fiskal. Meloni fitoi dhe më pas zbatoi pikë për pikë kërkesat e lobit ekonomik verior. Ndaj edhe biznesi apo politikanët e veriut, duhet të bëhen bashkë e të gjejnë një personazh apo parti politike që mbështet interesat e tyre. Madje slloganin e kanë gati: Hiqni trarët në veri!