“Ai erdhi, shkroi dhe iku”: Varroset Kadare

Shqipëria

“Ai erdhi, shkroi dhe iku”: Varroset Kadare

Nga: Bota sot Më: 3 korrik 2024 Në ora: 08:03 Përditësuar në ora: 14:05 më 03.07.2024
Ceremonia e varrimit të shkrimtarit Ismail Kadare

“Ai erdhi, shkroi dhe iku”: Varroset Kadare

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, u varros më 3 korrik në Varrezat e Tufinës në Tiranë.

Ceremonia e varrimit u zhvillua në një rreth të ngushtë familjar, me kërkesë të familjes së tij.

"Jemi shumë të prekur nga gjithë kjo dashuri. Ai është ngritur në panteonin e gjenive të botës. Një nga mënyrat për t'i bërë homazhe, është t'i lexojmë përsëri veprat e tij", tha vajza e shkrimtarit, Besiana Kadare.

Kadare vdiq më 1 korrik, në moshën 88-vjeçare, si pasojë e një arresti kardio-respirator.

Paraditen e së mërkurës, arkivoli me trupin e tij u vendos në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, ku qytetarë të shumtë nga vende të ndryshme bënë homazhe.

I pranishëm ishte edhe një delegacion i Kosovës me në krye presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Osmani bën homazhe para arkivolit të Ismail Kadaresë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe para arkivolit të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare.

Ajo ka qenë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu.

Homazhet po mbahen në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë.

Kadare vdiq në moshën 88 vjeçare të hënën në Qendrën Spitalore Universitare “Nëna Terezë” në Tiranë pas një sulmi në zemër.

Para Osmanit, homazhe kanë bërë edhe kryeministri Kurti me ministra dhe deputetë të VV’së.

Kadare varroset sot në Varrezat e Tufinës në Tiranë.

Lamtumirë Kadare! Personalitete nga politika, artit dhe kultura nderojnë shkrimtarin

Shqiptarët i japin sot lamtumirën e fundit shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare, mëngjesin e 1 korrikut.

Kadare pësoi “arrest kardio-respirator”, në shtëpinë e tij dhe vdiq në spitalin e QSUT në Tiranë.

Në Teatrin e Operas dhe Baletit po mbahen homazhet në nder të kolosit të letërsisë shqipe. Krerët  e shteteve nga Shqipëria dhe Kosova ndodhen në Tiranë për të përcjellë me nderime të larta shkrimtarin në banesën e fundit.

Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, zhvilloi homazhe në Teatrin e Operas, ku në fjalën e dhënë përpara mediave vlerësoi maksimalisht figurën e shkrimtarit.

“Kadare është ngjitur në Panteonin e përjetësisë si njeriu që në kohën më të vështirë për kombin shqiptar i kujtoi bashkëkombësve dhe gjithë botës se ne jemi një ndër kombet e identitetit europian dhe i formimit të identitetit europian. Kjo në një kohë që u bë çdo përpjekje për të shkatërruar lidhjet shqiptarëve me habitatin e tyre që është Europa. Kisha një mesazh për të rinjtë, që të përpiqen të lexojnë qoftë edhe një poezi, apo roman të Ismail Kadaresë se do ti shndërrojë dhe do ti ndryshojë, të kuptojë vlerën e tyre si shqiptarë, qoftë edhe si individ”, tha Basha.

Homazhe u kryen dhe nga Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

“Për t’i dhënë lamtumirën gjeniut të kombit që me penën e tij e ngriti Shqipërinë dhe shqiptarët në majat e letërsisë botërore atëherë kur Shqipëria ishte më e izoluar se kurrë. Me sakrificë i parapriu një epoke të re. I përjetshëm kujtimi i shkrimtarit tonë të madh dhe të papërsëritshëm”, deklaroi Meta në një prononcim të shkurtër për media.

Në ceremoni ishin të pranishëm dhe ish-presidentët Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisiu, kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, 40 deputetë nga Kuvendi i Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Më pas homazhe u kryen dhe nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe ministra të kabinetit qeveritarë dhe deputetë socialistë.

Homzahe u kryen dhe nga miqtë e tij shkrimtarë, ku mes tyre Preç Zogaj, Rita Petro dhe Fatos Kongoli e cilësuan Kadarenë si një shkollë letrare me veprat e tij që nuk do të vdesin kurrë.

“Kadare është shkrimtar i madh i përmasave botërore. E kam adhuruar gjithmonë si autor Kadarenë dhe atëherë kur nuk më shkonte mendja të bëhesha unë shkrimtar. Vitet e fundit u miqësuam me njëri tjetrin. Kishim një mik të përbashkët dhe vila e Kadaresë në Qerret takoheshim shpesh. Më ndodhte të takohesha dhe në raste festash. Ismaili nuk është shkrimtar i zakonshëm. Është shkollë letrare”, tha Fatos Kongoli.

“Shkrimtari Kadare do të vijojë të jetë mes nesh edhe kur ne të mos jemi. Nuk ka shtëpi pa një libër të Kadaresë. Madje dy ditët e para, 1 dhe 2 korrik, (Kadare vdiq më 1 korrik) qielli ishte shumë I ngrysur njëlloj si në romanet e Kadaresë. Ai donte një diell perëndimor. Është shkrimtari I të gjithë shqiparëve”, tha shkrimtarja Rita Petro.

“Vdekja e tij do shërbeje për të rivendosur në lartësinë e merituar konceptin për letërsinë. Ka një keqkuptim për letërsinë sot, se shumë autorë, nuk e startojnë nga majat. Majat janë fillesat e gjithë atyre që fillojnë”, tha Preç Zogaj.

Të pranishëm ishin gjithashtu dhe eksponentë nga Partia Demokratike, si dhe personalitetet të tjerë nga bota e artit dhe kulturës nga e gjithë bota shqiptare.

Kurti bën homazhe para arkivolit të Ismail Kadaresë

Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë po mbahen homazhet publike në nderim të Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të madh shqiptar që vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.

Në mesin e shumë personave, homazhe ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në Tiranë, Kurti ka shkuar me disa nga ministrat si Arben Vitia, Xhelal Sveçla, Hajrulla Çeku, Arbërie Nagavci, Donika Gërvalla- Schwarz.

Paraprakisht, homazhe kanë bërë edhe deputetët e LVV-së.

Kadare varroset sot në Varrezat e Tufinës në Tiranë.

Kurti arrin në Tiranë për varrimin e Kadaresë, shihet i mërzitur

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka arritur në Tiranë për të marrë pjesë në ceremoninë lamtumirëse për shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare.

Ai është parë i mërzitur.

Me Kurtin në Tiranë kanë shkuar edhe disa prej ministrave.

Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë janë parë edhe deputetët e Vetëvendosjes dhe kryekuvendari Glauk Konjfuca.

Po mbahen homazhet në nderim të Kadaresë, pamje nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë

Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë po mbahen homazhet publike në nderim të Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të madh shqiptar që vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.

Një ceremoni shtetërore në nder të shkrimtarit do t’i pasojë homazhet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Ndërsa në orën 12:30 kortezhi niset për në varrezat e Tufinës në Tiranë.

Në 13:00, çdo veprimtari do të ndërpritet dhe do të mbahet një minutë heshtje në nder të Kadaresë.

Lamtumira për Kadare, Alda Bardhyli: Na bëri të ndritur në sytë botës, iku i qetë

Alda Bardhyli, si një nga personat që i ka qëndruar më afër shkrimtarit Ismail Kadare vitet e fundi tha se me humbjen e tij vendi dhe gjithë bota humbën një mendje të ndritur të shekullit XXI.

Ajo tregoi se Kadare iku i qetë dhe pa brenga pasi kishte kryer atë që është shumë e rëndësishme për një shkrimtar, rbotimin veprës së plotë.

Lamtumira për Ismail Kadare, Helena Kadare mbërrin në homazhe e shoqëruar nga Veliaj

Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare do të përcillet sot për në banesën e fundit.

Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut dhe sot do të mbahen homazhet në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit mbërriti rreth orës 9:00 në Teatrin e Operas dhe Baletit, aty ku dhe do të mbahen homazhet. Ajo është parë të shoqërohet nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj.

Për të nderuar shkrimtarin e madh Kadare do mbahet edhe një ceremoni shtetërore që do të bëjë bashkë krerët më të lartë të shtetit, politikës, personalitete të kulturës e diplomantë nga të dyja anët e vendit, Shqipëri dhe Kosovë.

Homazhet publike mbahen nga ora 09.00-11.00 dhe nga ora 11.30 deri në 12.30. Në orën 11:30 pritet të mbahet ceremonia shtetërore e Lamtumirës së shkrimtarit, ndërsa në 12:30 do të nis kortezhi i përcjelljes së shkrimtarit për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës.

Në nder të Shkrimtarit, Shqipëria dhe Kosova janë në zi, ndërsa në dy vendet flamujt janë ulur në gjysmështizë.

Ndërkohë, në orën 13.00 çdo veprimtari do të ndërpritet dhe do të mbahet një minutë heshtje në nder të kolosit të letrave shqipe

Në ceremoninë shtetërore që do të organizohet nga Kryeministria do të marrin pjesë krerët më të lartë të vendit, kryeministri Edi Rama me bashkëshorten, Presidenti Begaj me bashkëshorten, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, po ashtu edhe ministra, drejtues institucionesh të larta, personalitete të shumta.

Kosova në ditë zie për vdekjen e Kadaresë, flamujt shtetërorë ulen në gjysmështizë

Me vendim të Presidentes Vjosa Osmani, sot është shpallur ditë zie në Kosovë, si shenjë nderimi për vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare. Me këtë rast, flamujt shtetërorë janë ngritur në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, kishte dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës. Kadare vdiq mëngjesin e të hënës në spital në Tiranë në moshën 88-vjeçare.

Sot do të bëhet varrimi i shkrimtarit, i cili vdiq të hënën në mëngjes në Tiranë. Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Ansamblin Popullor nga ora 09:00-11:00 dhe11:30 deri në 13.30.

Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut, në moshën 88-vjeçare duke lënë pas tij një pasuri të madhe letrare që është përkthyer në 45 gjuhë të botës. Kadareja është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare për veprat e tij. Vitin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron i dha atij titullin Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit gjatë një vizite të presidentit francez në kryeqytetin shqiptar.

Kadare vdiq mëngjesin e së hënës në spitalin e Tiranë në moshën 88-vjeçare.

Homazhet dhe ceremoni shtetërore për shkrimtarin e madh Ismail Kadare

Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare do të përcillet sot për në banesën e fundit. Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut dhe sot do të mbahen homazhet në Teatrin e Operas dhe Baletit.

Për të nderuar shkrimtarin e madh Kadare do mbahet edhe një ceremoni shtetërore që do të bëjë bashkë krerët më të lartë të shtetit, politikës, personalitete të kulturës e diplomantë nga të dyja anët e vendit, Shqipëri dhe Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat