Detaje të reja janë mësuar në lidhje me pezullimin nga Agjencia e Mbrojtjes Policore të 19 efektivëve të Policisë, të cilët me veprime të kundraligjshme, nëpërmjet faturave fiktive dhe të falsifikuara, të paraqitura në kohë të ndryshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në misionin FRONTEX, kanë përfituar shuma të paligjshme në euro.
Burime bëjnë me dije se AMP prej një viti kishte në hetim dhe me metoda speciale ka arritur që të dokumentojë abuzimin që 19 efektivët e policisë, në mesin e tyre drejtues të lartë të uniformave blu si dhe dy qytetarë, kanë arritur të vjedhin fondet nga FRONTEX.
Ky grup për një periudhë të gjatë kanë falsifikuar dietat duke përfituar shuma në euro. Një dietë ditore e FRONTEX është 50 euro, ndërkohë që për një efektiv apo drejtues janë lëshuar edhe shërbime fiktive me dokumente të falsifikuara edhe për 20 ditë rresht apo edhe më shumë.
Efektivët në këtë mënyrë merrnin përmes vjedhjes shuma nga 1000 deri në 2000 euro në muaj kur pretendonin se ishin me shërbim për FRONTEX.