GJKKO vendos për Laert Haxhiun, lë në fuqi masën “arrest me burg”

Shqipëria

GJKKO vendos për Laert Haxhiun, lë në fuqi masën “arrest me burg”

Më: 5 korrik 2024 Në ora: 12:37
Laert Haxhiu

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurimit arrest në burg për Laert Haxhiun. Lajmi konfirmohet nga gazetarja Klodiana Lala.

Gjykata e Posaccme ka vendosur vazhdimin e masave të sigurisë “Arrest me burg” për Laert Haxhiun, i dënuar me burg përjetë nga shkalla e parë për “Masakrën e Lushnjës”, ngjarje e shënuar në shtator të vitit 2017, por dhe për ngjarjet e tjera në të cilat është përfshirë 32-vjeçari, sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Artan Tafani.

Seancat në GJKKO u bënë të ndara, ndërkohë qe vetë Haxhiu dhe avokati i tij mbrojtës kanë mbajtur qëndrim mohues edhe për ngjarjen e Lushnjës dhe për dëshmitë e Tafanit, ku ata pretendojnë se nuk kanë njohje fare.

32-vjeçari, Laert Haxhiu rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale si: “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Gjykata e Posaçme e dënoi me burg për jetë Laert Haxhiun në prill të vitit 2024. Ai u shpall fajtor për ngjarjen e ndodhur në Lushnjë në tetor të vitit 2017, ku mbetën të vrarë Jurgen Hoxha e Zamir Latifi dhe u plagosën dy të tjerë.

Po kështu, emri i Laert Haxhiut doli nga dëshmia e Artan Tafanit, që tregoi se grupi i Haxhiut ka organizuar disa vrasje dhe disa ngjarje të rënda kriminale që kanë ndodhur në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat