Banka e Shqipërisë refuzon 2 institucionet e mikrokredisë për kthimin e licencave

Shqipëria

Banka e Shqipërisë refuzon 2 institucionet e mikrokredisë për kthimin e licencave

Më: 6 korrik 2024 Në ora: 08:17
Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë ka refuzuar ankimimin administrativ të dy institucioneve mikrofinanciare, Micro Credit Albania dhe Final për shfuqizimin e vendimit mbi revokimin e licencës.

Në Fletoren Zyrtare janë botuar argumentet e Bankës së Shqipërisë, ku ndër të tjera thuhet se “në lidhje me detyrimet që duhet të përmbushte pas pezullimit të aktivitetit, Banka e Shqipërisë ka deklaruar se administratori i MCA nuk ka raportuar ose nuk i është përgjigjur personalisht Bankës mbi plotësimin e detyrimeve. Më tej, edhe dërgimi i vendimit për revokimin e licencës është kthyer mbrapsht 2 herë nga shërbimi postar, pasi subjekti nuk gjendej në adresat e deklaruara”. Vendimi i Bankës për pezullimin e veprimtarisë në fund të vitit 2022, nuk është ankimuar në gjykatë nga “Micro Credit Albania” në atë kohë, duke pranuar në këtë mënyrë se vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë ka qenë e drejtë.

Ky subjekt nuk mori asnjëherë masa për eliminimin e shkeljeve dhe as nuk angazhoi strukturat e nevojshme për eliminimin e tyre. Për më tepër, ortakja e MCA i ka kërkuar vetë Bankës Qendrore në prill të këtij viti, që të lejojë dorëzimin e licencës nga MCA-ja.

Dy subjektet financiare jobanka, Micro Credit Albania dhe Final, janë bërë bashkë për të ankimuar vendimin e Bankës së Shqipërisë mbi revokimin e licencave të tyre.

Këto dy institucione kërkojnë shfuqizimin e vendimit për heqjen e licencave, me pretendimin se Banka Qendrore nuk ka respektuar procedurat e parashikuara nga kuadri ligjor lidhur me vendimmarrjen përkatëse. Banka e Shqipërisë në maj të këtij viti, mori vendimin për revokimin e licencave të dy subjekteve financiare jobanka, Micro Credit Albania (MCA) dhe Final, pasi kanë vepruar në shkelje të kërkesave rregullatore për një kohë të gjatë dhe ortakët e të dy shoqërive, u vendosën në masë arresti nga Prokuroria e Tiranës, si pjesë e skemës së mashtrimit financiar dhe praktikës abuzive në mbledhjen e borxheve të këqija. Ndërkohë Banka e Shqipërisë po adreson kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat