Në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po mbahet seanca e vlerësimit të masës së sigurisë “Arrest me burg”, ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorëve të tij, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikollaj.
Akuza, për të cilën është vënë në pranga Beqaj, nuk lidhet me detyrën e tij si ministër Shëndetësie në vitet 2013-2017, por me postin që mbajti si drejtuesi i Agjencisë shtetërore SASCAP, e krijuar për të menaxhuar ndihmat e donatorëve të huaj, që nga viti 2021.
Masa “Arrest me burg” është marrë me kërkesë të SPAK edhe për fshehje të pasurisë dhe pronësisë në një restorant emrin GZONA në “Kalanë” e Tiranës.
Në lidhje përfshirjen e gruas së tij si bashkëpronare në restorantin Gzona, Beqaj tha në gjykatë se një gjë e tillë iu kërkua nga një mik biznesmen për të tërhequr klientë të rangut së lartë.
“Kur është futur bashkëshortja te “Gzona”, ishte fat që një mik i përbashkët kishte interes për të bashkëpunuar në biznes. Kjo për faktin se shihej si mundësi për të ofruar për shkak të njohjes me klientë të serës së lartë”, tha Beqaj.