Partia Socialiste ka ndërmarrë hapin e parë ligjor për adresimin e votës së emigrantëve në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Këtë të hënë, socialistët depozituan në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që adreson ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Grupi i dialogut mazhorancë-opozitë duket se nuk dha rezultate duke bërë që mazhoranca t’i drejtohet vetë Kuvendit me një propozim të sajin që adreson reflektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që legjitimoi votën e diasporës e cila është detyrim për Kuvendin.
Sipas draftit të PS, zgjedhësit jashtë vendit do të kenë të drejtën e votës në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës pasi të jenë regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit.
KQZ duhet të nisë hartimin e listës së zgjedhësve jashtë vendit 100 ditë para zgjedhjeve dhe e përfundon përpilimin e saj duke e bërë publike listën 50 ditë larg nga data e zgjedhjeve. Zgjedhësit e diasporës që janë regjistruar në listën e votuesve jashtë vendit, duhet të çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit.
Një ndryshim i rëndësishëm është edhe ai për herësin. Sipas Kodit Zgjedhor aktual, të pandryshuar, herësi për të marrë mandatin e deputetit në disa qarqe shkon mbi 14 mijë vota, si në Lezhë, Kukës apo edhe Dibër ku numri i mandateve është më i vogël. Në Kodin e ri Zgjedhor, PS propozon që herësi të mos jetë më i madh se 7 mijë vota.