Zgjedhjet në Himarë, Beleri kërkon në gjykatë, pezullimin e dekretit të Begajt

Shqipëria

Zgjedhjet në Himarë, Beleri kërkon në gjykatë, pezullimin e dekretit të Begajt

Më: 8 korrik 2024 Në ora: 21:20
Fredi Beleri, gjatë një seance gjyqësore

Në Shqipëri, Alfred Beleri, për të cilin të premten Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, shpalli të pavlefshëm dhe ndërpreu mandatin e tij si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, i është drejtuar Gjykatës Administrative duke kërkuar pezullimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj, i cili shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja për kreun e Bashkisë së këtij qyteti më 4 gusht.

Sipas kërkesës, pretendohet se mandati i tij është i vlefshëm “sa kohë që vendimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, është shpallur në datën 05.07.2024, dhe ndaj tij lejohet ankim, dhe si i tillë ky akt është i paekzekutueshëm”.

Vendimi i Komisionerit shtetëror, i cili pasoi dënimin e zotit Beleri me dy vite burgim, nga Gjykata e Posaçme e Apelit, parashikon mundësinë e ankimit në Komisionin e Ankimimit dhe Sanksioneve (KAS), një tjetër organ i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por Qeveria veproi me një nxitim të pazakontë. Ajo iu drejtuar menjëherë pas vendimit të Komisionerit shtetëror, presidentit Bajram Begaj, duke i njoftuar atij krijimin e vakancës dhe duke i kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të reja. Kreu i Shtetit kishte 48 orë kohë. Ai nuk e shfrytëzoi këtë hapësirë, por firmosi dekretin në harkun e pak orëve. Socialistët njoftuan sot dhe kandidatin e tyre të ardhshëm për zgjedhjet në Himarë, ish deputetin e LSI-së, dhe aktualisht prefektin e Vlorës, Vangjel Tavo.

Sipas kërkesës paraqitur gjykatës nga zoti Beleri, pezullimi i dekretit të presidentit Begaj, vlerësohet i nevojshëm duke qenë se “ka afat të shkurtër ekzekutimi, pra pasojat e ekzekutimit të tij jo vetëm që fillojnë menjëherë, por dhe përfundimi i tyre është i afërt, konkretisht pas 30 ditëve”. Ndërkohë, paralajmërohet dhe një padi për ta konsideruar të pavlefshëm dekretin, duke qenë se vendimi i Komisionerit shtetëror është marrë “në kundërshtim flagrant me dispozitat ligjore që parashikojnë kompetencën e tij, si dhe procedurën e ushtrimit të kompetencave të tij”, shkruan zoti Beleri, duke pretenduar se “rasti i kryerjes së një vepre penale pas fitimit të mandatit, është shkak për shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë nga Këshilli i Ministrave”.

Po ashtu sipas zotit Beleri, edhe kreu i Shtetit ka kryer po ashtu shkelje pasi “Presidenti i Republikës duhet të kishte verifikuar kushtet formale të kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë. Kërkesa duhet të ishte shoqëruar me aktin që vërtetonte që vendimi i KQZ ishte i ekzekutueshëm, pra që nuk ishte paraqitur ankim brenda afatit të parashikuar në ligj, ose që ankimi ishte shqyrtuar nga organi i caktuar me ligj”.

Por zyra e Kreut të Shtetit e ka mbrojtur shpalljen e zgjedhjeve të reja duke shpjeguar se presidenti vihet në lëvizje vetëm nga njoftimi prej Këshillit të Ministrave dhe se ai nuk merr në shqyrtim procedurën që i paraprin konstatimit të vakancës. Sipas zyrës së zotit Begaj “procedura për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe procedura për ankimimin e akteve administrative, janë që të dyja ligjore, dhe bashkëjetojnë me njera-tjetrën. Në rast se midis tyre krijohen përplasje, atëherë është gjykata kompetente që ka fuqinë të zgjidhë përplasjen”.

Çështja Beleri, provokoi një krizë të fortë në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës, e cila pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, po këmbëngul që atij t’i lejohet pjesmarrja në seancën plenare të parlamentit europian e cila hapet javën e ardhshme. Zoti Beleri u zgjodh eurodeputet, nga lista e kandidatëve të partisë “Nea Dimokratia”, të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Qeveria greke pretendon se “autoritetet shqiptare kanë detyrimin për të marrë të gjitha masat e nevojshme për t'i mundësuar menjëherë zotit Beleris, tashmë deputet i zgjedhur në Parlamentin Europian, të marrë pjesë në punimet e tij”.

Eurodeputetët gëzojnë imunitet të posaçëm. Nëse zoti Beleri do të ishte i ndaluar, në një nga vendet e BE-së, në pritje të procesit, ai do të ishte liruar automatikisht, ndërsa autoritetet e drejtësisë, do të duhej të merrnin autorizimin e parlamentit europian për të vijuar procesin. Por Shqipëria nuk është pjesë e BE-së, e për më tepër, zoti Beleri është i dënuar me vendim të formës së prerë. Mbetet ende e paqartë se si do të veprojnë autoritetet shqiptare, të cilat javën e shkuar e lejuan atë që i shoqëruar me punonjës të policisë, të merrte pjesë në mbledhjen e KQZ. Zoti Beleri, mësohet t’i jetë drejtuar zyrtarisht administratës së burgjeve, që t’i lejohet pjesmarrje në seancën plenare të parë të parlamentit të ri europian.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat