Eksperti i njohur i ekonomisë, Fatos Çoçoli ka dhënë disa lajme të mira për pensionist. Sipas tij, indeksimi do të bëhet në tetor dhe se të gjithë pensionistët do të marrin pensione të indeksuara në vlerë 4.2%-4.6%. Nga ana tjetër, ai thotë se qeveria ka mundësi të japë edhe dy bonuse. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z.Çoçoli thotë se logjika është e tillë që edhe pensionistët të marrin pak më shumë me indeksimin e përgjithshëm ata që kanë pensionet më të ulëta.
-Pas reformës për rritjen e pagave në administratën publike, profesor në dijeninë tuaj kur pritet indeksimi i pensioneve pasi njëherë u tha për në korrik e herë në shtator e në tetor por kur pritet indeksimi real i pensioneve?
Gjykoj se qeveria e ka bërë të qartë se këtë vit do të ketë indeksim apo rritje jo me treguesin, siç ka ndodhur gjithmonë me treguesin e inflacionit vjetor sepse ai ka mallra dhe shërbime shumë më të gjera por me treguesin e inflacionit të dedikuar të shportës së prodhimeve e produkteve jetësore për një qytetar i cili ka një inflacion më të lartë. Tani për këtë periudhë kohe, inflacioni vjetor lëviz në shifrat 2.5%-3%. Inflacioni i produkteve të shportës së ushqimeve jetësore është shumë më i lartë, në nivelet 4.5%. Kështu që edhe indeksimi do të jetë i këtyre niveleve por nuk do të jetë menjëherë pas rritjes së pagave të administratës por do të jetë në tetor dhe besoj se të gjithë pensionistët do të marrin pensione të indeksuara në vlerë 4.2%-4.6% më shumë si indeksim. Me këtë nivel të ardhurash në vend, me këtë moment të mirë që po kalon financa jonë publike që gjithnjë dhe nga Ministria e Financave është cilësuar për 4-5-6 mujorin, do të jenë gjithnjë e në rritje të ndjeshme.
Kjo rritje krijon mundësi qeverisë që të mendojë dhe për një bonus, jo vetëm atë të shpërblimit të gjelit në fund vit, por pse jo dhe një bonus në dorë kur janë mundësitë. Qeveria duhet ta mendoje seriozisht pasi mundësitë janë pas një rritje të lartë të nivelit të pagave në administratën shtetërore ku dukshëm pensionet janë në një nivel më të ulët. Qeveria e ka deklaruar në disa raste se po punon me specialistë të Bankës Botërore që të gjejnë një formulë në mënyrë që indeksimi të bëhet i dalluar dhe jo i njëtrajtshëm. Të indeksohen më shumë pensionistët të cilët trajtohen me pension rural, pensione të vlerës nën mesatare, pensionet në fshat që janë në vlerë 8000 mijë lekë apo 10000 mijë lekë në muaj.
-Ndryshimi i koeficientit për përllogaritjen e pensioneve, çfarë ndryshimi sjell kjo gjë?
Ndryshimi i koeficienteve për përllogaritjen e pensioneve sjell atë që rritja përmes indeksimit të jetë më e ndjeshme te pensionet më të ulta. Me logjikën që kush ka një pension më të vogël duhet të ndihmohet më shumë. Nëse kemi pensionin e nivelit 35000-40000-50000 lekë të reja, atyre nuk ke pse t’u shtosh 4.2% apo 4.6% sepse mbrohen edhe me një indeksim më të pakët.
Kjo është si të thuash, logjika në koeficientet e formulës së re ku është gjetur miratimi me ekspertizën e ekspertëve të Bankës Botërore që të nisi këtu njëlloj trajtimi i veçantë në mënyrë që qeveria siç ka bërë me rrogat ku fillimisht i rrit ato të ulëtat, rriti rrogën bazë, atë minimale dhe më pas filloi me pagat mesatare. Kështu gjykoj se duhet të shkojë edhe me pensionet, logjika është e tillë që edhe pensionistët të marrin pak më shumë me indeksimin e përgjithshëm ata që kanë pensionet më të ulëta.
-Nga ana tjetër, Banka Botërore po bashkëpunon me FMN-në për përcaktimin e minimumit jetik, që është një ndër gjërat kryesore sa i përket skemës së pensioneve por në dijeninë tuaj në cilat ritme po punohet?
Është ndoshta zhvillimi më për t’u përshëndetur që po ecën, sa më shpejtë aq më mirë, sepse përcaktimi i minimumit jetik do të sjell një reformë revolucioni në pensione. Do të bëj një ndryshim radikal e shumë të fortë në atë që më në fund do të kemi një ndihmë sociale dinjitoze sepse askush te ne që është i pamundur në nivel të familjeve me dy pensionistë apo në nivel të atyre që janë të pamundur për të ndihmuar veten e tyre nuk duhet të marrin këtej e tutje një nivel ndihme sociale pasi që është nën minimumin jetik. Në rast se minimumi jetik përcaktohet, kuptohet që nuk do të ketë më vend për ndihma sociale të tipit 8 mijë apo 2 mijë apo 10 mijë lekë të reja.