Xhafaj me kritika: Drejtësia penale nuk është garë statistikash dhe nuk ndëshkon mbi bazë preferencash politike apo perceptimi

Shqipëria

Xhafaj me kritika: Drejtësia penale nuk është garë statistikash dhe nuk ndëshkon mbi bazë preferencash politike apo perceptimi

Më: 15 korrik 2024 Në ora: 23:52
Fatmir Xhafaj, Altin Dumani

Kreu i komisionit të Posaçëm Antikorrupsion Fatmir Xhafaj, gjatë fjalës së tij sot në Kuvend, ka kritikuar kreun e SPAK, Altin Dumani, teksa ndër të tjera u shpreh se populizmi gjyqësor është shumë më i dëmshëm se ai politik.

Ai tha se drejtësia penale nuk është garë statistikash dhe nuk ndëshkon mbi bazë preferencash politike apo perceptimi.

“Drejtësia penale nuk mund të jetë kurrësesi çështje numrash dhe as garë statistikash brenda sistemit. Edhe sepse çështjet penale janë tejet komplekse profesionalisht, por edhe delikate sepse kanë të bëjnë në thelb me lirit dhe të drejtat themelore të njeriut”, u shpreh ai.

Më tej shtoi se: Reforma në drejtësi, prokuroria e gjykatat nuk janë vetëm SPAK e GJKKO, por edhe ato dhjetra prokurori e gjykata në të gjithë territorin ku ka shumë e shumë më tepër probleme dhe në dyert e të cilave trokasin shumë më tepër njerëz që shpresojnë të zgjidhin drejt dhe në kohë hallet e tyre, të marrin drejtësi dhe të shërbehen me drejtësi.

Ish-ministri kujtoi përgjegjësinë që Kuvendi ka, sipas tij për të “reflektuar mbi problematikat dhe për të propozuar zgjidhjet e duhura, jo përmes tavolinave hermetike, por përmes një procesi gjithpërfshirës, transparent dhe profesional ku në qendër të këtij debati të jenë vet njerëzit e sistemit të drejtësisë”.

Xhafaj foli edhe për vendime të “keqarsyetuara dhe të keqshkruara” dhe për më tepër sipas tij, “qëndrime të ndryshme për çështje të së njëjtës natyrë janë prezente në të dy nivelet e gjykimit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat