Drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Ilir Alimehmeti, ka denoncuar shitjen dhe konsumimin e 13.2 ton akullore të kontaminuara me oksid etileni dhe vetëm 4.3 ton u tërhoqën, duke riskuar kështu gjerësisht shëndetin e popullatës, kryesisht të fëmijëve tanë.
Alimehmeti tha se oksidi i etilenit është lëndë e klasifikuar ndërkombëtarisht si lëndë gjenotoksike dhe kancerogjenike dhe është ndaluar krejtësisht përdorimi i tij në ushqime që prej vitit 2011, pasi është faktor risku për sëmundje kanceroze të ndryshme si limfoma, leucemi, kancer stomaku dhe kancer gjiri.
Ai theksoi se oksidi i etilenit shkakton dëmtime të sistemit riprodhues, ndryshime gjenetike dhe dëmtime të sistemit nervor.
“Skandali i oksidit të etilenit u vu në dukje si kontaminues në akullore, por kujdes, në të kaluarën oksidi i etilenit është përdorur gjerësisht edhe në produktet e mishit, drithërat, produktet e bulmetit, frutat e thata, erëzat, suplementet dietetike, formulat e qumështit për bebet, etj.
Për ta zbuluar praninë e oksidit të etilenit, nuk mundet të mbështetemi vetëm mbi raportime ndërkombëtare, por duhen kryer analizat sistematikisht. Në informacionin tonë, as në vitin 2021 e as më tej, AKU-ja nuk i ka kërkuar ISUV-it kryerjen e këtyre analizave”, theksoi ai.