Në doganën e Kakavijës vazhdon fluksi i lëvizjes në të dyja anët e kufirit për pushimet verore.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar në sportelet e hyrje-daljes 5 177 persona dhe 1 849 automjete. Pjesa më e madhe janë bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në Greqi dhe kthehen për të kaluar pushimet verore në vendlindje.
Ndërsa i konsiderueshëm është edhe numri i personave dhe mjeteve që udhëtojnë për në shtetin grek ndërsa gjatë 24 orëve të fundit vetëm në sportelet e daljes janë regjistruar 2 562 persona dhe 904 automjete.
Prej fillimit të javës nëpërmjet doganës së Kakavijës kanë lëvizur në te dyja anët e kufirit rreth 30 mijë persona. Aktualisht të dyja doganat shqiptare dhe greke janë angazhuar për evitimin e radhëve të pritjes në sportelet e dokumenteve.