Kërkon lirimin nga burgu, mbahet seanca për Dritan Dajtin në Gjykatën e Elbasanit

Shqipëria

Kërkon lirimin nga burgu, mbahet seanca për Dritan Dajtin në Gjykatën e Elbasanit

Më: 23 korrik 2024 Në ora: 15:03
Seanca për Dritan Dajtin në Gjykatën e Elbasanit

Ka nisur seanca e radhës ndaj Dritan Dajtit, i cili kërkon verifikimin e përfundimit të dënimit me 25 vite burg.

Pas largimit nga vettingu të prokurorit Neritan Hoxha, prokuroria përfaqësohet nga prokurori Glenda Zeneli.

Ndërkohë nuk është pranuar kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e trupit gjykues nga procesi.

Dajti kërkoi lirimin nga qelia me pretendimin se i ka mbaruar dënimi me 25 vite burg, vendim i dhënë nga Gjykata e Apelit, e cila pranoi kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar.

Në një letër dërguar drejtorit të Burgut të Peqinit, Dajti pretendon se ka përfunduar kohën e vuajtjes së dënimit prej 25 vitesh.

Dritan Dajti u dënua më burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 policëve në vitin 2009, por një vendim i Gjykatës së Apelit në vitin 2019 e konvertoi dënimin me 25 vite burg.

Duke u bazuar në vendimin e Apelit, Dajti argumenton se në 4 korrik ai ka përfunduar kohën e vajtjes së dënimit.

Por më 11 qershor të këtij viti, Gjykata e Lartë me gjyqtarët Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Artur Kalaja vendosi rrëzimin e vendimit të apelit duke lënë në fuqi dënimin me burg të përjetshëm. Në letrën e Dajtit nuk përmendet vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë.

Dritan Dajti akuzohet për masakrën e 7 gushtit të vitit 2009 në Plazhin e Durrësit, ku  u vranë dëshmorët e policisë; Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj. Ngjarja cilësohet si ndër më të rëndat për forcat e policisë. Dajti së bashku me personat që e shoqëronin ju përgjigjën me armë skuadrës së policisë që kishte shkuar për arrestimin e tij.  Në këtë ngjarje u plagos vet Dajti, si dhe u vra shoqëruesi i tij, Ledjon Mara dhe u plagos Fatjon Shamku.

Dritan Dajti ishte në kërkim që nga viti 2004, pas një arratisje spektakolare nga Gjykata e Tiranës ku po gjykohej për vrasjen e një biznesmeni, ngjarje e kryer në vitin 1999.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat