Autoriteti Kombëtar i Ushqimit shpreh shqetësimin për përhapjen e informacioneve të pavërteta mbi njoftimet e ardhura nga sistemi RASFF, duke shkaktuar në këtë mënyrë panik te konsumatorët. AKU i bën me dije opinionit publik lidhur me menaxhimin e rasteve nga ana e AKU për tre njoftimet e etiketuara nga sistemi RASFF.
“Më datë 29 shkurt 2024, nga sistemi RASFF jemi njoftuar për produktin Milka Biscotti XL me Nr. LOT: OPM053424 dhe datë skadence 20.07.2024 për prani “Copa metali në biskota”, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje. AKU mori masa të menjëhershme për kryerjen e kontrollit zyrtar, nga i cili u konstatua se nuk kishte gjendje të këtij produkti as në magazinë as në raftet e shitjes”, sqaron AKU.
Sa i përket rastit për njoftimin nga sistemi RASFF më 12 mars 2024 për produktin domate të thara (Pomodori Sechi) me lot: V04623 dhe datë skadence 15.02.2026, me origjinë nga Tunizia me përmbajtje të pesticidit Chlorpyrifos-Ethyl, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje, AKU sqaron se “nga kontrolli i kryer rezultoi se subjekti ka kryer vetëm një import për të testuar produktet dhe kjo sasi nuk është tregtuar”.
Së fundmi, lidhur me njoftimin e ardhur nga sistemi RASFF me datë 2 maj 2024, i kategorisë: Alert me temë: “Proteinë e qumështit në majanë e birrës”, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje, AKU sqaron se: majaja e birrës me prezencë të proteinës së qumështit është përdorur si lëndë e parë në prodhimin e produkteve: “YUKYBIO Pancrik di Farro Integrale” LOT: (024 A 24), datë skadence 05.11.2024, “BioVegando Velette con Ceci e Curcuma” LOT: (397 A 24) datë 19.12.2024. Nga verifikimi i kryer rezulton se të dyja produktet nuk janë tregtuar te konsumatori final. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është në gatishmëri për garantimin e sigurisë ushqimore në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit. AKU inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”.