Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj ka thënë në Euronews Now me Erla Mëhillin se ekziston mundësia që qeveria të mund të manipulojë edhe votat që do vijnë nga diaspora.
Sipas Shehaj, edhe pse gjatë këtyre tre mandateve ka pasur qytetarë të pakënaqur nga Partia Socialiste, janë zëvendësuar me punonjës të administratës shtetërore apo edhe nga kapja e sektorit të ekonomisë nga pushtetit, të cilën ai e quajti “makineri elektorale”.
Në vazhdim, deputeti tha se edhe nëse ka votues të pakënaqur nga mandati i tretë, qeveria do të mund t’i zëvendësojë ata me shqiptarët e diasporës në zgjedhjet e ardhshme.
“Vota e diasporës ka më shumë rreziqe sesa mundësi. Si ka fituar Rama në tre zgjedhje dhe edhe pse kanë ikur 100 mijë shqiptarë në vit, numri i votave që ai ka fituar ngelet po i njëjti. Sot voton 90 % e rezidentëve në Shqipëri, që vjen si rezultat i një makinerie elktorale nga kjo qeveri. Duke përfshirë administratën, gjithë ekonominë e kapur nga pushteti. Tani ka arritur në një nivel ku nuk gjejnë më dot vota sepse ka shumë të pakënaqur, vota të cilat do t’i gjejnë tek diaspora.” –tha Shehaj.