Ditën e sotme në Kongresin e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama pritet të publikojë emrin që do të zëvendësojë Lindita Nikollën në krye të Kuvendit, pas tërheqjes së kësaj të fundit nga ky pozicion.
Gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu, është shprehur se janë disa emra që përfliten se mund të marrin këtë detyrë të rëndësishme.
Shehu tha se emri më i përfolur është ai i ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, pasi sipas saj, është një personazh që është atakuar shpesh politikisht.
Po ashtu Shehu tha se disa emra të tjerë të përfolur janë edhe nënkryetarja aktuale e Kuvendit, Ermonela Felaj, Mimi Kodheli, Pandeli Majko dhe Bledi Çuçi.
“Gjatë këtyre orëve kanë qarkulluar edhe emra të ndryshëm që mund të jenë zëvendësues të Lindita Nikollës në krye të Kuvendit. Disa emra potencialë janë edhe në bazë të funksioneve që bartin. Emri i parë që të vjen në mendje automatikisht është ai i ministres së Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin.
Një personazh që është atakuar shpesh politikisht edhe nga opozita, ka mbajtur mbi shpatulla edhe akuza të ndryshme. Pra emri i parë që shkon automatikisht për ne si gazetarë në mendje është ai i Elisa Spiropalit. Një tjetër emër, që nuk është shumë i lakuar, është ai i nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj. Mund të jetë edhe Mimi Kodheli, Pandeli Majko apo Bledi Çuçi”, tha Shehu.