Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas lajmit se Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet pasditen e nesërme (29 korrik) për të votuar në një seancë të jashtëzakonshme ndryshimet në qeveri.
Në një mesazh drejtuar deputetëve demokratë, Bardhi ka reaguar ashpër ndaj Presidentit Begaj, teksa shkruan se “Presidenti si roje e godinës së Presidencës ka bërë dekretimin e ministrave të rinj me urgjencë dhe pa asnjë verifikim”.
“Kolegë, Presidenti si roje e godinës së Presidencës ka bërë dekretimin e ministrave të rinj me urgjencë dhe pa asnjë verifikim. Administrata e Kuvendit më njofton që nesër në orën 18:00 do te ketë seancë të jashtëzakonshme parlamentare për emërimet në Qeveri. Njoftimi zyrtar do ju përcillet edhe me email”, shprehet Bardhi në mesazhin e tij.
Kujtojmë se Kuvendi do të mblidhet në orën 18:00, ku pritet të votohet me votim të fshehtë për emërimin e Elisa Spiropalit si kryetare e re e Kuvendit, pas dorëheqjes së Lindita Nikollës.
Gjithashtu në Parlament pritet të votohet edhe për ndryshimet në kabinetin qeveritar, të cilat fillimisht do të dekretohen nga Presidenti Bajram Begaj.
Të gjitha ndryshimet që prezantoi Rama
Elisa Spiropali – lë postin e ministres së shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin – Emërohet Kryetare e Kuvendit pas dorëheqjes së Lindita Nikollës
Taulant Balla – Largohet nga posti i ministrit të Brendshëm – Emërohet ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin – Post i mbajtur deri sot nga Elisa Spiropali
Ervin Hoxha emërohet Ministër i Brendshëm – Post i mbajtur deri sot nga Taulant Balla. Hoxha aktualisht mbante postin e kreut të IKMT-së
Petrit Malaj – Emërohet Ministër i Financave – Post i mbajtur deri sot Ervin Mete. Malaj aktualisht mbante postin e kreut të AKBN-së
Pirro Vëngu –Emërohet Ministër I Mbrojtjes – Post i mbajtur deri sot nga Niko Peleshi! Vëngu aktualisht mbante postin e Drejtorit të Autoritetit Portual të Durrësit
Bledi Çuçi – Ikën nga posti i kryetarit të grupit PS – Emërohet Nënkrytetar i parlamentit, post i mbajtur deri sot nga Ermonela Felaj.
Niko Peleshi – Ikën nga posti i Ministrit të Mbrojtjes – Emërohet kreu i grupit PS