Në aktivitetin e hapjes së garës për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, ka qenë i pranishëm dhe kryeministri i vendit, Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur se ky port ndikon deri në 3% të prodhimit të përgjithshëm tregtar të vendit. Teksa ka listuar të gjitha efektet pozitive të portit, kryeministri është shprehur se do të ndikojë dhe në sigurinë tonë. Rama ka theksuar se do të ketë dhe anën ushtarake, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake me parametra optimalë.
Rama: Durrësi me këtë port dhe me projektet e tjera që po zhvillojmë, apo që po bëjmë gati për të zhvilluar, më në fund do të ketë të gjithë atë peshë që duam ti japim.
Do të rifitojë reputacionin që ka pasur në kohëra të vjetra që ishte pikë referimi sidomos në marrëdhënie me Italinë.
Marrëdhënia me Italinë për ne është speciale, kemi shumë miq por Italia është më shumë se sa kaq. Këtë e dinë të gjithë, nuk është arsye për të qenë xheloz. Kam vënë re që Shqipëria i bën të gjithë të bien në dashuri dhe pastaj dashuria disa i shtyn nëpër xhelozira të çuditshme.
Kur bie në dashuri edhe një holandez, që nuk shquhen për këtë pasi dashuria e tyre kalon përmes llogarive. Ne kemi konstatuar që Shqipëria i ka hyrë Eric dhe i ka pushtuar një pjesë të vogël dhe strategjike të mënyrës së tij të menduarit si tregtar holandez, gjë që ka influencuar edhe kompaninë. Kontratat që kemi lidhur me kompaninë për mbikëqyrjen e punimeve është një kontratë shumë e mirë për ne, duke pasur parasysh kërkesat e fillimit që ishin më të larta.
Na jep shpresë Eric që duke të mbajtur këtu edhe 2-3 vite të tjera, gjysma jote do të jetë shqiptar.