Presidenti Bajram Begaj i është drejtuar me një letër Kuvendit të Shqipërisë lidhur me problemin e mikrokredive.
“Ndjeshmëria publike ndaj abuzimit me administrimin e kredive me probleme është shumë e lartë dhe shqetësimi qytetar është legjitim. Çështja do të krijojë qetësi kur publiku të perceptojë se institucionet janë në sintoni të plotë me këtë shqetësim, kanë identifikuar dhe po punojnë për zgjidhjet e duhura. Qytetarët kanë nevojë të kuptojë se shteti dhe institucionet janë me ta dhe kundër abuzuesve.
Kjo çështje nuk zgjidhet me politizim apo me retorikë të panevojshme. Kuvendi është adresa më e saktë dhe më kompetente për t’i dhënë fenomenit zgjidhjen e plotë, të suksesshme, përfundimtare e të pakthyeshme. Si President i Republikës, shpreh besimin se mesazhet e përfshira në këtë shkresë kanë për të marrë vëmendjen e duhur institucionale”, thekson Begaj.
Sipas tij, Banka e Shqipërisë nuk ndërmori asnjë masë për veprimin jashtë kushteve të licencës nga shoqëritë e mikrokredisë që kishte licencuar deri në këtë datë. “Kjo formë e “tolerancës institucionale” ndaj subjekteve nën mbikëqyrje meriton të trajtohet me instrumentet e komisionit parlamentar, për të ndikuar që vigjilenca e të gjitha enteve të pavarura mbikëqyrëse ndaj praktikave të kësaj natyre të rritet, sepse dalja nga kushtet e licencës, pa pasur frikë se mekanizmi ligjor të ndëshkon, nuk ka se si të jetë fenomen ekskluziv financiar”, shkruan Begaj.
Presidenti thekson se Banka e Shqipërisë ka prezantuar një arsyetim juridik për të shpjeguar kontekstin e vitit 2016.
““Disa institucione financiare, krahas aktivitetit kredidhënës, për të cilin ishin licencuar nga Banka e Shqipërisë, kishin kryer edhe blerje të portofolave të kredive me probleme nga bankat, aktivitet ky i mbështetur në dispozitat e Kodit Civil për kalimin e kredive (përkatësisht nenet 499, 507 dhe 705)”, – thuhet në fjalën e Guvernatorit Sejko në seancën dëgjimore të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave mbi subjektet financiare jobanka që blejnë kredi me probleme (21.5.2024). “Kjo praktikë e zakonshme, e njohur dhe e praktikuar edhe në shumë vende të tjera, në Shqipëri gjen mbështetje në dispozitat e Kodit Civil për kalimin e kredive…” – thuhet në përgjigjen drejtuar Presidentit të Republikës (28.6.2024).
Në asnjë prej këtyre prononcimeve nuk analizohet nëse “praktika” binte ndesh me licencën, sikurse nuk analizohen shkeljet eventuale të dispozitave të rregullores bazë të cituar më sipër. Kufizimet e vendosura nga licenca dhe legjislacioni i fushës nuk mund të anashkalohen nga dispozitat e Kodit Civil, të cilat formojnë rregullim të përgjithshëm të marrëdhënieve juridiko-civile. Subjektet e licencuara mund të hyjnë në marrëdhënie juridike civile (të lidhin marrëveshje sipas Kodit Civil) vetëm për gjëra që janë në funksion të objektit të licencuar të veprimtarisë, por jo të krijojnë një objekt të ri veprimtarie mbështetur në lirinë kontraktuale që njeh Kodi Civil”, thekson Presidenti.