PD akuza Ramës se përfitoi prona në Vuno, kryeministri: Do ngre padi për të paudhët

Shqipëria

PD akuza Ramës se përfitoi prona në Vuno, kryeministri: Do ngre padi për të paudhët

Më: 2 gusht 2024 Në ora: 13:43
Edi Rama

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso akuzoi kryeministrin Rama për grabitjen e 22.4 hektarëve tokë në Vuno. Sipas Kasos, institucionet shtetërore nuk ka pasur guximin të shkonin në gjyq, për të kundërshtuar marrjen e mbi 200 mijë metrave katrorë tokë nga familja Koleka.

Pas akuzave të Partisë Demokratike kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në platformën “X” ku shprehet se do të ngrejë padi mbi ata që shpifin ndaj tij e ndaj familjes së tij. Sipas kryeministrit ai nuk ka asnjë certifikatë pronësie për pronat e stërgjyshit të tij në Vuno.

“Duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone – ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon – nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë”,-shkruan Rama.

Reagimi i plotë i Kryeministrit Rama:

Përpjekja e dëshpëruar për të bërë një paralele të pamundur, mes pushtetit të përdorur për veten e për familjen dhe pushtetit të vënë në dispozicion të të gjithëve, ku edhe vetja, familjarët apo fisi yt trajtohen njësoj si të gjithë, është një përpjekje që e përshëndes me kënaqësi, sepse aq sa ç’është e neveritshme si gjithnjë kur hidhet baltë mbi familjen time për të luftuar në fakt me mua, aq është këtë herë edhe e mirëseardhur për të bërë dallimin si nata me ditën mes agresorëve të familjes time dhe meje si kundërshtar i papërkulshëm i tyre!

Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujrave të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë që në fakt, po i paguajnë me një vetëdiskreditim e vetëturpërim shembullor në sytë e shqiptarëve paudhësitë e panumërta, që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli kur kishin edhe gurin edhe arrën, në duart e tyre të mbrapshta e të pista.

Por për publikun ka vetëm një fakt. Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të
Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone – ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon – nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete.

Kështu që faleminderit që e hapën këtë gropë në publik për mua dhe bujrum le të hidhen vetë brenda, si zakonisht, por këtë herë me të mirën e madhe që populli do ta shohë dallimin e madh, si në një pasqyrë ku vetëm qorrat me qimen e syrit në tru mund të mbeten pa e kuptuar!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat