Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se Leonard Duka është ekstraduar nga Belgjika, i shpallur në kërkim ndërkombëtare i dyshuar për një sërë veprash kriminale.
Siaps Policisë shqiptare, ekstradimi i të shumëkërkuarit Leonard Duka nga Belgjika është realizuar nga Drejtoria e Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Bruksel dhe me strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit.
Policia ka publikuar pamje nga kur Leonard Duka i është dorëzuar zyrtarëve të policisë.
“Shtetasi L. D. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal””- thuhet në njoftimin e policisë shqiptare.
Sipas njoftimit, nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Leonard Duka dhe 6 shtetas të tjerë janë autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi S. M.
Gjithashtu, thuhet më tej në njoftim, shtetasi Leonard Duka, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka planifikuar vrasjen e shtetasve Er. Ma., Er. Mi. dhe të anëtarëve të tjerë të grupit të tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit falënderon Zyrën e Interpol Bruksel, për bashkëpunimin, dhe njësitë e angazhuara në realizimin me sukses të operacionit të ekstradimit.
Duka ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos, krahut të djathtë të Ervis Martinajt, i cili është zhdukur që nga viti 2022. Ai u arrestua në Belgjikë në shkurt të vitit 2023.
Ai njihet si kreut i klanit Duka.